Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin zhvilloi bisedë telefonike me ministrin rus të mbrojtjes Andrey Belousov, telefonatë e “nisur nga pala ruse”.
Ata prekën çështjen e parandalimit të kërcënimeve të sigurisë dhe zvogëlimit të rrezikut të përshkallëzimit të mundshëm.
Në Uashington, zv.sekretarja e Shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh njoftoi se “sekretari theksoi rëndësinë e mbajtjes së linjave të komunikimit mes luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës”.
Në fillim të kësaj jave, Gjermania dhe SHBA-të njoftuan një marrëveshje për stacionimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi në territorin e Gjermanisë duke filluar nga viti 2026, hera e parë që armë të tilla vendosen në Gjermani që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Armët amerikane do të përfshijnë raketa balistike “Tomahawk” me një rreze veprimi deri në 2 mijë e 500 kilometra, të afta për të goditur thellë në Rusi, si dhe raketa të mbrojtjes ajrore “SM-6” dhe armë hipersonike të zhvilluara rishtazi.
Zyrtarët rusë kanë reaguar ashpër ndaj njoftimit, duke akuzuar Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për nxitje të tensioneve e shtyrje drejt një gare armësh.
Agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë zbuluar komplote ruse për të kryer vrasje, zjarrvënie dhe sabotime të tjera në Europë kundër kompanive dhe njerëzve të cilët e mbështesin ushtrinë e Ukrainës, u shpreh një zyrtar qeveritar perëndimor.
“Me raste, Rusia rekruton kriminelë të zakonshëm në vendet e huaja për të kryer sulmet”, tha një zyrtar që foli në kushte anonime, siç raporton Associated Press. Një komplot i madh, që u zbulua kohët e fundit kishte në shënjestër Armin Pappergerin, shefin ekzekutiv të kompanisë së mbrojtjes Rheinmetall në Gjermani. Ai nuk dha hollësi për komplotet e tjera, për të cilat për herë të parë raportoi CNN.
Shtetet e Bashkuara e patën njoftuar Gjermaninë për komplotin duke iu mundësuar agjencive të sigurisë ta mbronin Pappergerin dhe kështu të dështonte plani për ta vrarë. Rheinmetall është furnizues i madh i teknologjisë ushtarake dhe i predhave të artilerisë në Ukrainë. Muajin e kaluar, kjo kompani hapi një objekt për mirëmbajtjen e autoblindave dhe riparimin e tyre në perëndim të Ukrainës e synon të fillojë prodhimin brenda territorit ukrainas.