Rreth dy muaj pasi u miratua ngritja e tij në Kuvend, sot u konstituua Komisioni i Posaçëm i Dezinformimit, i mbledhur nën drejtimin e socialistit Erion Braçe. Siç paralajmëroi, opozita nuk mori pjesë në mbledhje. Braçe u shpreh se opozita duhet të ishte pjesë e kësaj lufte, ndërsa theksoi se e presin në çdo kohë.
Braçe shtoi se qëllimi i komisionit nuk është të përndjekë as individë e as organizata.
Ky komision ka për qëllim të njohë, të mbledhë të dhëna, të analizojë gjetje mbi to, të organizojë një masë kritike shoqërore e institucionesh publike dhe private për t’ju përgjigjur në mënyrë të tillë, të organizuar një lufte të organizuar të shteteve jo mike e qëllimeve të tyre malinje të shtuara, veçanërisht prej luftës në Ukrainë edhe ndaj Shqipërisë, si faktor kyç properëndimor, stabiliteti në Europën Juglindore, anëtare e NATO-s dhe në negociata me BE-në.
Ky komision duhet të organizojë të gjithë faktorët shoqërore, politikë e jo të tillë, institucionet publike, vendimmarrëse dhe ekzekutive të pavarura, për të mbrojtur vlerat tona, demokracinë, lirinë për të zgjedhur, ekonominë, veçanërisht sektorët strategjikë të ekonomisë, lirinë e tregut si pjesë e lirisë ekonomike.
Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin do të funksionojë me afat kohor 1-vjeçar dhe synon të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike duke nisur nga fushatat e dezinformimit nëpërmjet mediave tradicionale e atyre sociale, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë e të tërthortë, si dhe ndikimin keqdashës ekonomik të aktorëve publike e minimin e veprimtarisë së shoqërisë civile.
Ngritja e komisionit erdhi si propozim i socialistëve me firmat e 7 deputetëve, kërkesë që sipas tyre ndjek të njëjtën linjë me vendet perëndimore dhe Parlamentin Europian në luftën kundër dezinformimit e ndërhyrjen nga vendet e huaja.
Në fjalën përshëndetëse, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla theksoi se informimi po bashkëjeton me dezinformimin, qëllimet e mira me ato malinje, influencat pozitive në kulturë edukime qytetërim po bashkëjetojnë me ndikime që synojnë të shpien shoqëritë tona drejt dhunës dhe konflikteve.
Ka raste që burime e aktorë teknologjik po nxiten dhe mbështeten nga qeveri apo grupime politike ose ideologjike që synojnë të krijojnë terren për terrorizëm dhunë, ekstremizëm të dhunshëm radikalizëm dhe veprime të tjera antiqytetëruese. Këto influenca janë një rrezik real për proceset dhe institucionet demokratike.