Bota

Konsensusi i G20-ës për Ukrainën, i vështirë!

Dy muaj nga përfundimi i mandatit të presidentit Biden, Shtetet e Bashkuara po rrisin mbështetjen financiare, ushtarake dhe diplomatike ndaj përpjekjeve të Kievit për t’u mbrojtur kundër agresionit rus. Në takimin e nivelit të lartë të G20-ës në Brazil, zyrtarët e Uashingtonit po bëjnë presion për një gjuhë “sa më të fortë të mundshme” në mbështetje të Ukrainës.

Diplomatët perëndimorë kanë ripërtërirë thirrjet për kritika më të forta ndaj Moskës pas sulmit ajror rus të fundjavës, më i madhi në territorin ukrainas në muajt e fundit. Gjithashtu, paralajmëruan se Rusia po shton përpjekjet e luftës që mund të kenë një efekt destabilizues përtej Europës. Deklarata përfundimtare e udhëheqësve të G20-ës, ende është duke u negociuar.

Një version paraprak që ka parë Zëri i Amerikës dhe të tjera që qarkullojnë në mediat sociale, sugjerojnë se do të përfshijë vetëm një formulim të përgjithshëm që nënvizon parimet e OKB-së e nevojën për të respektuar paqen në Ukrainë dhe Gaza ku Izraeli po lufton Hamasin pas sulmit të tetorit të vitit të kaluar.

Gjetja e një konsensusi për konfliktet globale duket e pamundur duke pasur parasysh përbërjen e G20-ës. Përveç vendeve të G7-ës që përgjithësisht janë në një emërues të përbashkët, G20-ta përfshin edhe Rusinë, Kinën e vende në zhvillim.

Do të shohim se si do të shkojë.

Që nga takimi i nivelit të lartë të G20-ës në vitin 2022 në Bali, i mbajtur disa muaj pasi filloi agresioni i Moskës ndaj Ukrainës, ky grupim global është përballur me sfida për të gjetur një përgjigje ndaj konfliktit.

Autorizimi i raketave me rreze të gjatë veprimi

Amerika ka rritur ndihmën ushtarake për Kievin. Po ashtu, Uashingtoni po autorizon Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi të dërguara nga Amerika për të goditur në thellësi të Rusisë, sipas njoftimeve të mediave që citojnë zyrtarë që kanë folur në kushte anonimiteti.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se nëse është i vërtetë, autorizimi për Kievin për të goditur brenda Rusisë me raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi, “do të shënojë një raund të ri tensionesh dhe niveli përfshirjeje të Uashingtonit në konfliktin e Ukrainës”.