Në Tiranë u çelën konkurset për dy projektet e para të Korporatës Shqiptare të Investimeve. Para jurisë ndërkombëtare, 10 studio prestigjioze paraqesin projekt-idetë për katër zhvillime të reja, që do t’i hapin rrugë qasjes së re në ndërtimin e zyrave dhe krijimin e hapësirave po të reja të shërbimeve bashkëkohore për administratën publike.
I pranishëm në aktivitet, kryeministri Edi Rama tha se “shteti vendos në dispozicion pronat publike e më pas fton në konkurs investitorë vendas e të huaj për ndërtimin e projekteve”.
Si pronar i truallit, shteti do të përfitojë një infrastrukturë të re për institucione publike që ende rrinë në mjedise me qira apo ende nuk e kanë selinë e tyre të shekullit të ri, si Biblioteka Kombëtare, etj.
Janë 10 finalistë të ndarë në dy grupe, 5 për çdo grup e që përballë jurisë ndërkombëtare do të prezantojnë projektidetë e tyre lidhur me katër zhvillime të rëndësishme. Katër zhvillime që i hapin rrugë një faze të re, një qasjeje të re e të padiskutueshme dhe një roli të ri të shtetit në raport me pronën publike.
Aktualisht, sot institucionet publike paguajnë disa miliona euro në vit qira për të ushtruar aktivitetin e tyre në mjedise që janë larg së qeni të denja për ambicien tonë të “Shqipërisë 2030“. Janë larg asaj që meritojnë qytetarët që shërbehen nga këto institucione dhe po ashtu për kushtet në të cilat duhet të punojnë shërbëtorët e shtetit.
Kryeministri theksoi se “përveçse janë miliona e miliona euro që shkojnë çdo vit për qira, janë një sërë institucionesh që vazhdojnë ushtrojnë aktivitetin e tyre në godina që nuk kanë asnjë lloj vlere, të asnjë natyre”.
Jo vetëm nuk kanë asnjë vlerë arkitektonike, por paraqesin edhe probleme të vazhdueshme mirëmbajtjeje si rezultat i të qenit godina të vjetra, të trashëguara nga periudha komuniste e njëkohësisht të përdorura për qëllime që nuk përshtaten fare me ato mjedise.
Sot arkitektët janë thirrur të ofrojnë idetë dhe projektet e tyre që të ndërtohet një kompleks i madh qeveritar, i cili do të akomodojë një numër të konsiderueshëm institucionesh e nga ana tjetër, edhe një godinë publike ku do të akomodohen të tjera institucione që sot janë në nevojë të madhe për të pasur një vend të denjë, për të gjitha kërkesat e tyre.