Lufta midis Izraelit dhe Hamasit ka marrë jetën e 770 personave në më pak se tre javë në pjesën veriore të Rripit të Gazës , njoftoi sot agjencia e Mbrojtjes Civile e enklavës palestineze, ndërsa bisedimet e reja synojnë arritjen e një armëpushimi.
Katari ka njoftuar se pritet një takim mes negociatorëve amerikanë dhe izraelitë në Doha, pasi ndërmjetësit “rivendosin kontaktet” me Hamasin pas vdekjes së liderit të tij Yahya Shinwar , i cili u vra nga ushtarët izraelitë më 16 tetor.
Ministri i Jashtëm i SHBA, Anthony Blinken , i cili po viziton Emiratin, tha se priste që negociatorët të takoheshin brenda ditëve të ardhshme, duke shtuar se SHBA po shqyrtonte “opsione të ndryshme” për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Ky përparim pas disa muajsh përpjekjesh të pafrytshme ndërmjetësimi nga Katari, SHBA dhe Egjipti, vjen ndërsa Izraeli lufton një front të dyfishtë kundër Hamasit në Gaza dhe Hezbollahut në Liban.
Natën e kaluar, Izraeli kreu sulme ajrore në periferitë jugore të Bejrutit – një nga bastionet e Hezbollahut – në një nga më të mëdhatë që nga fillimi i luftës dhe tha se kishte në shënjestër “punishtet e ruajtjes dhe prodhimit të armëve që i përkisnin Hezbollahut”.
Blinken paralajmëroi dje Izraelin për rrezikun e një përshkallëzimi, në një kohë kur Irani thotë se është gati të përgjigjet në rast të një sulmi izraelit, pasi 200 raketa iraniane u hodhën në Izrael më 1 tetor.
Pas një viti lufte, ushtria izraelite ka kryer operacione në pjesën veriore të Rripit të Gazës që nga 6 tetori , të cilat kanë marrë jetën e 770 personave gjatë 19 ditëve, sipas Mbrojtjes Civile, e cila vlerëson se kjo llogari është i nënvlerësuar.
Në pjesën qendrore të enklavës palestineze, të paktën 17 persona u vranë në një bombardim izraelit të një shkolle që ishte shndërruar në një strehë për personat e zhvendosur në kampin Nuseirat, njoftoi sot Mbrojtja Civile.
Blinken, i cili sot njoftoi një ndihmë të re prej 135 milionë dollarësh për palestinezët , i tha Izraelit dje se ka ardhur “momenti” për t’i dhënë fund luftës, e cila u ndez nga një sulm i paprecedentë nga Hamasi në tokën izraelite më 7 tetor , 2023.
Ai sulm la 1206 njerëz të vdekur, shumica prej tyre civilë, sipas një raporti të AFP-së bazuar në të dhënat zyrtare izraelite, që përfshin pengjet që u vranë ose vdiqën ndërsa mbaheshin rob.