Edhe pse mjekët kanë kohë që paralajmërojnë se virusi respirtaor sinsicial po qarkullon te fëmijët në vendin tonë të paktën referuar shenjave simptomave klinike që shfaqnin fëmijët, Instituti i Shëndetit Publik vetëm këtë të martë ka deklaruar zyrtarisht se ka izoluar rastin e parë të prekur nga virusi. Epidemiologu Artan Simaku:
Eshtë evidentuar një rast me virusin respirator sinsicial. Më tepër ky virus prek fëmijët e vegjël dhe më pak të rriturit e adoleshentët. Mes fëmijëve, kryesisht më të prekurit janë foshnjat nën 1-vjeç.
ISHP i referohet një 16-vjeçari, i cili u paraqit në Infektiv me komplikacione të rënda, për të cilat edhe u intubua, por fatmirësisht djali e ka kaluar rrezikun për jetën dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.
Mjekët thonë se ka shumë fëmijë të tjerë të prekur nga ky virus, i cili agravon kryesisht gjendjen shëndetësore te foshnjet e vogla, duke u shkaktuar bronkopneumoni dhe pamjaftueshmëri në frymëmarrje. Ky virus shfaq të njëjtat simptoma si gripi, temperaturë të lartë, kollë, dhimbje kraharori dhe në ditën e tretë apo të pestë, situata agravohet.
Silva Bino, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, ISHP:
Pak a shumë është i njëjtë me shenjat e përgjithshme, por shpesh herë te fëmijët e vegjël mund të bëjë forma shumë të rënda, të cilat çojnë në pamjaftueshmëri të frymëmarrjes. Për momentin po e monitorojmë, kryesisht te grupmoshat e vogla, por edhe te të moshuarit e ata me sëmundje bashkëshoqëruese.
Në urgjencën e Pediatrisë tanimë nuk është numri i lartë i fëmijëve që paraqiten, por ka shumë raste të rënda, shkaktuar nga virusi respirator sinsicial dhe viruset e gripit në qarkullim.