Një ari polar ka ngordhur nga gripi i shpendëve në Alaskë pasi virusi ngjitës H5N1 po përhapet në zonat më të largëta të planetit. Ariu polar u gjet i ngordhur në Utqiagvik, një zonë që është goditur rëndë nga shpërthimi aktual global i gripit të shpendëve.
Lajmi u konfirmua në dhjetor nga Departamenti i Ruajtjes së Mjedisit në Alaskë. “Kjo është e para që një ari polar të ngordhë nga gripi i shpendëve në planet”,-tha veterineri i shtetit të Alaskës Dr.Bob Gerlach për gazetën Alaska Beacon, duke lënë të hapur mundësinë që ariu polar është infektuar duke ngrënë zogj të kontaminuar.
“Nëse një zog ngordh nga H5N1, veçanërisht nëse mbahet në një mjedis të ftohtë, virusi mund të mbijetojë për ca kohë në mjedis”,-tha ai. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që arinj të tjerë të kenë ngordhur nga gripi i shpendëve, por ato raste nuk mund të verifikohen pasi priren të jetojnë në vende të largëta me pak njerëz.