Aktualitet Politikë

Konferenca e Kryetarëve miraton dokumentin e rëndësishëm për BE-në/Opozita vijon bojkotin!

Sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u miratua Udhërrëfyesi për Funksionimin e Institucioneve Demokratike. Partia Socialiste tha se dokumenti është parakusht i hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Maxhoranca theksoi angazhimin për të avancuar me integrimin europian të vendit tonë.

Më herët u mësua se rruga e pranimit të Shqipërisë në BE do të shkëputet nga e Maqedonisë së Veriut, me grupet e para të negociatave që zyrtarisht pritet të hapen më 15 tetor. Kjo sipas një vendimi unanim të ambasadorëve të vendeve anëtare të Unionit.

Rrugëtimi u shoqërua me fillimin e negociatave të nisura zyrtarisht në verën e vitit 2022. Por, për shkak të mosmarrëveshjeve Shkup-Sofje, hapja aktuale e kapitujve është shtyrë duke ndikuar drejtpërdrejt në progresin e Tiranës.

Tani, hapi i radhës pritet të bëhet nga Shqipëria në mes të tetorit në kuadër të konferencës ndërqeveritare dhe hapjes së “Cluster 1 – Fundamentals”. Ky grup përfshin kapitujt Prokurimi, Statistikat, Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, Drejtësia, Liria, Siguria dhe Kontrolli Financiar.

Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmbushur kërkesat për të avancuar në rrugën në BE, por është një pengesë për Maqedoninë e Veriut, e cila edhe një herë dështoi të bëjë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në Bllok.

Përmes një letre, ishte Hungaria që njoftoi se vendet anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord për të hapur kapitullin e parë në negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, më 15 tetor. Budapesti mban presidencën gjashtëmujore të Unionit deri në fund të vitit e për në këtë datë ka thirrur të ashtuquajturën Konferencë Ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë ku pritet të çelet ky kapitull.

Shqipëria i ka përmbushur kushtet e nevojshme për hapjen e këtij kapitulli, i cili ka të bëjë me të drejtat themelore.

Sipas metodologjisë së re të procesit të Zgjerimit të BE-së, kapitujt që kanë të bëjnë me të drejtat themelore dhe sundimin e ligjit duhet të hapen në fillim, pasi në procesin e negociatave duhet të ketë më shumë kohë për t’i përmbushur kriteret e për t’i mbyllur kapitujt.

Opozita nuk mori pjesë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, duke vijuar bojkotin e nisur në kuadër të aksionit që pason burgosjen e deputetit demokrat, Ervin Salianji, i dënuar me 1 vit heqje lirie për kallëzim të rremë në dosjen Babale.