Aktualitet

Konferenca e Komisionerëve të Informimit, Rama: Përparim në Indeksin e Transparencës!

Në Konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se “e drejta për informim nuk është thjesht një instrument demokratik, por një parakusht për shëndetin dhe zhvillimin e demokracive funksionale”.

Natyrshëm, kam kënaqësinë të shoh përparimin e bërë nga autoritetet tona në Indeksin e Transparencës 2023 nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Ndërkohë, jam mjaft i vetëdijshëm që ky përparim thotë shumë për atë prej nga vijmë e ndërkohë tregon sërish se nuk është e mjaftueshme me aty ku duam të arrijmë.

Ja pse shumë shpejt, në fund të qershorit, ne do të mbajmë një konferencë të jashtëzakonshme vjetore për të drejtën e  informimit, të cilën e kemi konceptuar me Zyrën e Komisionerit si një ballafaqim përballë fakteve dhe institucioneve ndërmjet asaj që shkruhet në ligjet tona dhe asaj çka zbatohet.

Në fund të fundit nuk është çështja të kemi ligje, por edhe t’i zbatojmë ato. Hendeku midis hartimit të ligjeve e zbatimit të tyre është sfidë për shumë prej nesh. Ne jemi vende e njerëz që ndajmë një mendësi kur vjen fjala për të drejtën e informimit, por ndërkohë jemi të vetëdijshëm që nuk jemi suedezë.

E drejta për informim, përballet me një kërcënim të madh në njëjtën kohë kur kemi në dispozicion një mundësi të jashtëzakonshme. Na takon neve ta përdorim sa më mirë e të investojmë në infrastrukturën dixhitale e në programet e edukimit, për t’u siguruar që të gjithë qytetarët të kenë qasje e të përdorin me efektivitet platformat dixhitale.

Së dyti, për të nxitur një kulturë transparence në institucionet publike duke nënvizuar rëndësinë e konsultimeve publike dhe qeverisjes me pjesëmarrje.

Së treti, për të mos pasur frikë nga drita për të punuar shumë më ngushtë me institucionet si Zyra e Komisionerit dhe Avokati i Popullit, për të garantuar që të gjithë të kuptojnë pikë së pari nga brenda qeverisë që ekspozimi i informacionit dhe përdorimi i tij për ta nxjerrë gjithçka në dritë është një proces i shëndetshëm dhe një mjet mjaft efektiv kundrejt dezinformimit.

Konferenca ku foli kryeministri është forumi më i lartë dhe më i rëndësishëm i bashkëpunimit e koordinimit të autoriteteve botërore rregullatore të së drejtës për akses në informacionin publik dhe transparencë.