Presidenti Bajram Begaj vlerëson se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara mbetet gur themeli e se falë këtij partneriteti kemi sigurinë se Ballkani Perëndimor do të vazhdojë të jetë rajon i paqes e stabilitetit. Begaj mbajti një fjalim në Konferencën e 27-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut (A-5), që po zhvillon punimet në Tiranë.
Begaj shprehu bindjen se edhe në të ardhmen, nisma SHBA-Karta e Adriatikut do të vazhdojë të kontribuojë në integrimin e mëtejshëm të rajonit tonë në familjen euroatlantike. Kreu i shtetit tha se anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut është i një rëndësie të veçantë, jo thjesht për sigurinë e saj, por që gjithashtu do t’i shërbente sigurisë së rajonit. Presidenti theksoi edhe se rritja e buxhetit për mbrojtjen në 2% nuk është më pika kulmuese, por një bazë e qëndrueshme për modernizimin e forcave të mbrojtjes.
Në dekadat e fundit, rajoni ynë mbetet i brishtë dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve të brendshme e të jashtme që mund të destabilizojnë paqen dhe stabilitetin e arritur. Tensionet artificialisht të krijuara, qoftë të natyrës etnike e politike, ndërhyrjet e huaja nga aktorë të tretë dhe kërcënimet ndaj sigurisë kibernetike kërkojnë vëmendje të veçantë dhe bashkëpunim të thelluar ndër vete e me partnerët tanë. Historia nuk duhet harruar, ndryshe rrezikojmë të përsërisim gabimet.
Përballë agresionit rus në Ukrainë dhe përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme kërkohet një qasje e bashkuar e një angazhim i përbashkët për t’i adresuar këto çështje madhore në mënyrë efikase e të qëndrueshme.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu deklaroi se “Shqipëria do vijojë të jetë një avokate e palëkundur e bashkëpunimit rajonal për mbrojtjen e sigurisë”.
Ky takim simbolizon përkushtimin e vendeve tona për sigurinë kolektive, bashkëpunimin e mbrojtjes dhe stabilitetin rajonal. Peizazhi gjeopolitik po ndryshon dhe kërcënimet konvencionale, siç po tregon agresioni brutal i Federatës Ruse në Ukrainë, por dhe ato jo-konvencionale e hibride, si kibernetike, terrorizmi dhe krimi transnacional, vazhdojnë të evoluojnë. Prandaj, duke forcuar ndërveprimin tonë, ne rrisim kapacitetet tona të mbrojtjes, duke bërë që vendet tona të mund t’i përgjigjen me shpejtësi dhe efektivitet çdo kërcënimi.
Shqipëria do të vijojë të jetë një avokate e palëkundur e bashkëpunimit rajonal. Karta e Adriatikut qëndron në ballë me tregues të prekshëm, si pjesëmarrja e vendeve tona në Afganistan para shumë viteve apo trajnime e stërvitje të përbashkëta, siç është seria e stërvitjeve “Defender Europe”, rishtazi.
Ndërkohë, që po përgatisim dislokimin e një ekipi trajnues të disa vende të A5 në misionin e NATO-s në Irak (nëntor 2024), në kuadër të Programit për Zhvillimin e Edukimit në Fushën e Mbrojtjes së institucioneve të sigurisë së Irakut, duhet gjithashtu që Karta të qëndrojë besnike e parimeve themelore të saj, përfshirë “Politikën e Dyerve të Hapura”. Në këtë kuptim, më lejoni të them, që vendi i Kosovës duhet të jetë këtu, në këtë tavolinë.