Aktualitet

Konferenca e Dytë Ndërqeveritare më 15 tetor, kryediplomati Hasani: Momenti historik i shqiptarëve!

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian që do të mbahet më 15 tetor në Luksemburg është momenti historik i shqiptarëve. Në një prononcim për mediat, pas pjesëmarrjes në Samitin e V të Gruas Shqiptare të Diasporës, Hasani tha se Shqipëria i ka bërë detyrat dhe se tashme pret hapjen e kapitujve.

I pyetur sesi shkon Shqipëria në këtë takim Hasani tha:

Shqipëria shkon e mirëorganizuar, e qartë në atë që kërkon, e bindur që do të përfaqësojë vlerat më të mira të vetat. Tani qeveria ka plotësuar pjesën më të madhe të detyrimeve të veta. E gjithë përpjekja, është përpjekja e të gjithë shoqërisë shqiptare që ne të vazhdojmë punën që kemi arritur deri më sot. Lutem të gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve, që këtë datë ta konsiderojnë moment historik të tyrin dhe jo të asnjë grupi apo individi të përfshirë në të.

Hasani theksoi më tej se, “ky është momenti më i rëndësishëm i marrëdhënies së Shqipërisë me Bashkimin Evropian, me familjen në të cilën ne bëjmë pjesë”. Sot gjatë një vizite zyrtare në Hungari, kryeministri Rama u prit nga homologu Orban, i cili theksoi se Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian e duhej të ishte pjesë edhe tani.

Tani kemi situatën e kundërt. Unë kërkova ndihmën e tij sepse tashmë ne kemi mundësinë që t’i kemi këtu miqtë tanë shqiptarë. Sepse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pritur për 15 vite mesatarisht për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian ndërsa Shqipëria ka pritur që prej vitit 2019. Dhe unë në fakt kam folur për këtë gjë dhe kur isha në Strasburg sepse mendoj që kura më e mirë për të gjithë këtë situatë dhe e thashë këtë edhe në Strasburg, është që BE t’i mirëpresë vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen e vet, sepse kështu do të qarkullojë më mirë gjaku tek ne, në familjen evropiane.

Rama i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur për Ballkanin Perëndimor dhe jo thjesht mbështetje me fjalë, por me vepra.

Ai gjithmonë ka thënë që Ballkani Perëndimor është po aq i rëndësishëm për BE-në sa BE-ja për Ballkanin Perëndimor. Ndaj me kërshëri pres që shumë e më shumë gjëra do të bëhen ndërmjet 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Hungarisë edhe po të mos jetë vetëm në lidhje me gjërat që kanë të bëjnë me Procesin e Berlinit apo me planin e rritjes, por edhe në fushën financiare për aspekte që kanë të bëjnë më të nxënit nga historia dhe për ta gjykuar të tashmen duke u përpjekur që të mos na befasojë e ardhmja.