Aktualitet Politikë

Koncensionet në Shëndetësi, PD-ja kërkon dëshminë e Edi Ramës e Vilma Nushit!

Në Komisionin Hetimor për Check-Up/in e Sterilizimin, deputetët e opozitës paraqitën dokumentin ku kërkojnë të thirren e të dëshmojnë Edi Rama në cilësinë e Kryeministrit, si dhe sipërmarrësja Vilma Nushi, si pronare e dy kompanive që janë pjesë e një prej koncesioneve, objekt i veprimtarisë hetimore të këtij Komisioni. Sipas demokratëve, Nushi është përfituese indirekte dhe direkte e 1.5 milion eurove nga dividenti.

Refuzimi i përsëritur nga ana e anëtarëve të maxhorancës në këtë Komision, për të thirrur si dëshmitarë z.Edi Rama dhe zonjën Vilma Nushi është tërësisht në kundërshtim me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i takon Ligjit për Komisionet Hetimore dhe ligjet në fuqi.

Komisioni është i detyruar që të thërrasë për të dëshmuar para tij, jo vetëm z.Edi Rama por të gjithë personat për të cilët anëtarët e opozitës, si iniciues të këtij komisioni, kanë kërkuar që të paraqiten e të dëshmojnë.

Sot mbahet dita e dytë e mbledhjes së Hetimorit të Shëndetësisë, ku pritet të dëshmojë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Mbetet të shihet nëse do të jetë apo pritet sërish shtyrje e mbledhjes nga debate e bllokime procedurale. Mbi 9 orë diskutime ditën e djeshme përfunduan me polemika dhe pa finalizim e dështoi dëshmia e Ilir Beqajt në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë. Me kërkesë të nënkryetarit socialist, Plarent Ndreca, dëshmia u shty për sot në orën 10:30 minuta. Debate të forta e akuza pati mes PD-së e PS-së.

Në Kuvend, ish-ministri i Shëndetësisë u rikthye me pranga në duar, dje rreth orës 10:30, i shoqëruar nga policë. Për të dëshmuar në komisionin hetimor për dy koncesionet e dhëna në kohën kur ishte ministër i Shëndetësisë, Check-Up/in e Sterilizimin, Beqaj la mjediset e burgut ku qëndron prej 4 muajsh, i arrestuar për abuzim me fondet e Bashkimit Europian në SASPAC, agjenci e drejtuar prej tij.

I përgatitur me dy dosje voluminoze, Beqaj u ul para komisionit por kryetarja demokrate Albana Vokshi i refuzoi kërkesën për të prezantuar në Power Point materialet e përgatitura duke kërkuar dëshmi me video e prova.

Ilir Beqaj: Unë dua të informoj njerëzit se çfarë ka ndodhur. Nuk ka përkufizim ligjor kush është forma e deklaratës..

Albana Vokshi: Po kërkoni t’i jepni të drejtat më shumë se dëshmitarët e tjerë. Nuk është më i mirë se Ilir Rrapaj, Ilir Beqaj. Ilir për Ilir. Deklaratë e vetëm deklaratë e përcakton ligji. Nëse nuk doni, e nis me pyetje.

Beqaj: Jam akuzuar si hajdut nga ju… Nuk jam i shkreti. Boll me epitete ndaj meje! Ta kam thënë më 2016-ën se hallin tënd s’ta zgjidh unë.