Qeveria amerikane ka ngritur akuza kundër një iraniani në lidhje me një komplot të dyshuar për të vrarë Donald Trump përpara se ai të zgjidhej presidenti i ardhshëm.
Departamenti i Drejtësisë të premten ngriti një aktakuzë kundër Farhad Shakerit, 51 vjeç, duke pretenduar se atij i ishte kërkuar të “ngrinte një plan” për të vrarë Trump, shkruan BBC.
Qeveria amerikane tha se Shakeri nuk është arrestuar dhe se besohet të jetë në Iran.
Në një kallëzim penal të paraqitur në gjykatën e Manhatanit, prokurorët pretendojnë se një zyrtar në Gardën Revolucionare të Iranit e udhëzoi Shakerin në shtator të hartonte një plan për të vëzhguar dhe vrarë Trump.
“Departamenti i Drejtësisë ka akuzuar një pjesë të regjimit iranian, i cili ishte ngarkuar nga regjimi për të drejtuar një rrjet bashkëpunëtorësh kriminalë për të çuar më tej komplotin e Irani për të vrarë objektivat e tij, duke përfshirë presidentin e sapozgjedhur Donald Trump”, tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Merrick Garland.
Departamenti i Drejtësisë shtoi se kishte akuzuar dy të tjerë që ishin rekrutuar gjithashtu për të vrarë një gazetar amerikan, i cili ishte një kritik i hapur i Iranit.
Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara. Ai i fitoi më shumë se 270 votat e domosdoshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur fitues i zgjedhjeve.
Në procesin zgjedhor të 5 nëntorit, ai garoi kundër nënpresidentes, demokrates Kamala Harris.
Harris e pranoi disfatën, duke thënë se “ne duhet ta pranojmë patjetër rezultatin e këtyre zgjedhjeve”
Përveç pozitës së presidentit, republikanët e kanë fituar edhe kontrollin e Senatit, njërës prej dhomave të Kongresit.