Auto & Moto

Kompanitë kineze kërkojnë tarifa deri në 25% për makinat e importuara nga Evropa!

Kompanitë kineze të makinave i kanë bërë thirrje Pekinit që të “godasë” rivalët e BE-së me taksa importi deri në 25%, nëse blloku vendos tarifa për automjetet nga Kina. Kërkesa thuhet se është bërë në një takim me dyer të mbyllura të organizuar nga Ministria kineze e Tregtisë, ku morën pjesë edhe përfaqësues të kompanive evropiane. Bëhet e ditur se ky hap vjen pasi së fundmi BE-ja ka kërcënuar prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike me tarifa deri në 38%, duke filluar nga 4 korriku.

Ndërkohë, i pranishëm në takim konfirmohet të ketë qenë edhe gjiganti gjerman Volkswagen, i cili nuk ka pranuar të komentojë mbi atë që u diskutua. Edhe kompanitë e tjera evropiane që thuhet se ishin të pranishme, duke përfshirë BMW dhe Porsche, nuk kanë pranuar të flasin mbi takimin.

Mirëpo, sipas një raporti, sugjerohet që Kina do të vendosë një tarifë të përkohshme të lartë për automjetet me benzinë të importuara nga Evropa. Ky raport i bën jehonë një artikulli të botuar muajin e kaluar nga Global Times, i cili tha se tarifat 25% duhet të zbatohen për makina me motorë më të mëdhenj se 2.5 litërsh.

Ndryshe, Komisioni Evropian qeverisës i BE-së njoftoi se prodhuesit kinezë të EV do të përballen me tarifa nëse diskutimet me autoritetet kineze nuk çojnë në një zgjidhje efektive. Këto tarifa do të vendosen në krye të tarifës aktuale prej 10% të vendosur për të gjitha makinat elektrike të prodhuara në Kinë. Ndërhyrja e BE-së vjen pasi SHBA-ja bëri një lëvizje shumë më të guximshme për rritjen e tarifave të saj për makinaat elektrike kineze nga 25% në 100 për qind muajin e kaluar. Qeveria kineze i ka denoncuar vendimet dhe që atëherë ka filluar të marrë masa.