Tech

Kompania e prodhimit të parashutave për misione hapësinore tanimë në “duart” e Space X!

SpaceX po blen një kompani për prodhimin e parashutave të cilat përdoren për misione hapësinore. Prodhuesi i anijeve kozmike në pronësi të miliarderit të teknologjisë Elon Musk po blen Pioneer Aerospace i cili prodhon parashuta për raketa. SpaceX do të paguajë 2.2 milionë dollarë për Pioneer.

Është një blerje e rrallë për SpaceX dhe e para që kur pagoi 524 milionë dollarë për startupin satelitor Swarm në vitin 2021, në një lëvizje që zgjeroi rrjetin e saj satelitor Starlink. Pioneer, i themeluar në vitin 1938, ka siguruar parashuta për një numër misionesh të SpaceX dhe NASA-s. Rikujtojmë, se së fundmi anija kozmike pa ekuipazh Starship e SpaceX, e zhvilluar për të transportuar astronautë në Hënë dhe më gjerë, ka humbur kontrollin dhe ka shpërthyer, duke dështuar misionin e saj ​​në hapësirë disa minuta pasi u ngrit gjatë provës së saj të dytë.

SpaceX u përpoq sërish të niste Starship, raketën më të fuqishme të ndërtuar në histori, por përforcuesi Super Heavy shpërtheu mbi Gjirin e Meksikës menjëherë pas shkëputjes në ajër. Kompania sqaroi se për shkak të pamundësisë së kthimit të kontrolluar të raketës, u aktivizua sistemi i ndërprerjes së fluturimit, pra vetëshkatërrimit të saj.

Ndërkaq, kompania SpaceX do të ketë vlerë rreth 500 miliardë dollarë deri në vitin 2030. Këtë ka deklaruar investitori miliarder Ron Baron në një intervistë me CNBC. Baron, i cili sipas CNBC zotëron më shumë se 1 miliard dollarë aksione në kompaninë e raketave, tha se kompania do të ketë vlerë nga 250 miliardë deri në 300 miliardë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme. Vlera aktuale e SpaceX prej rreth 150 miliardë dollarësh e bën atë një nga kompanitë private më të vlefshme në botë.