Nën drejtimin e Ervin Salianjit, sot u zhvillua mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS. Sipas rendit të ditës, u vijua me seancat dëgjimore, ku ishte thirrur në cilësinë e dëshmitarit, ish-Drejtori i Autoritetit Kombëtar për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, Dorian Tola, për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen. Dëshmia e tij u zhvillua me dyer të hapura dhe sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.
I pyetur se cili ka qenë ndërveprimi me sistemin TIMS, Tola tha:
TIMS është një sistem, jo i akredituar për të trajtuar informacione të klasifikuara e në këto kushte, nuk ka qenë objekt i punës tonë.
I pyetur lidhur me kërkesën për pajisje me certifikatë sigurie të Ervin Muçës dhe cila ka qenë arsyeja e refuzimit, deklaroi:
Deri në momentin e lirimit tim nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit, ne nuk kemi konkluduar në një vendimmarrje për subjektin që pyesni, nuk e di nëse është marrë vendim për refuzim apo jo për zotërinë në fjalë.
Sa i përket mundësisë së aksesimit të sistemit TIMS të një personi pa certifikatë sigurie, u shpreh:
Një nga kushtet kryesore për t’u njohur me informacion të klasifikuar është pajisja me certifikatë sigurie të përshtatshme, por kjo nuk do të thotë që në momentin kur emërohesh në detyrë ta kesh paraprakisht certifikatën të pajisur.
Pas marrjes së kësaj dëshmie, deputeti i PD-së, Asllan Dogjani kërkoi zgjatjen e afateve të hetimit, duke thënë se nuk i kanë shkuar deri në fund dhe se sipas tij duhet të vijë të dëshmojë edhe kryeministri Edi Rama.
Ta zgjasim afatin e hetimit dhe të na jepet mundësia për të thirrur Ramën, të vijë të na tregojë për deklaratat publike që ka bërë lidhur me ndërhyrjen në TIMS, ish-ministrin e Brendshëm, por ka edhe shumë dëshmitarë të tjerë, që nga hetimi na ka rezultuar se kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Ne kemi kërkuar të hetojmë jo vetëm 2 gushtin, por edhe raste të tjera kur janë bërë publike të dhënat e qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të ndalohemi dhe ta mbyllim këtu hetimin, në një kohë që problemet që kanë dalë janë shumë të mëdha dhe fakti që në vendin tonë asnjë nuk është i sigurt.
Të njëjtën kërkesë e përsëriti edhe kryetari i komisionit, Ervin Salianji, i cili u shpreh se nga dëshmitë kanë dalë të dhëna “të llahtarshme” e duhet të hetohen edhe persona të tjerë.
Kanë dalë të dhëna të llahtarshme që duhen të hetohen dhe persona që s’duhet të shmangen nga hetimi, që ju ka dalë emri gjatë dëshmive. Dëshmitë e zyrtarëve të lartë kanë qenë kontradiktore, për këtë arsye duhej të kishim thirrjen e dëshmitarëve të tjerë.
Në mbledhjen e radhës pritet të diskutohen kërkesat e Partisë Demokratike dhe nëse socialistët do e rrëzojnë zgjatjen e hetimit, dy partitë duhet të kenë gati raportet mbi të. Mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS do të njoftohet në vijim.