Aktualitet Politikë

Komisioni i reformës zgjedhore mbyllet me 21 mars, Alibeaj pranon dështimin!

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së zyrtare Enkelejd Alibeaj i ka paraprirë dështimit të komisionit për reformën zgjedhore mandati i të cilës përfundon në datën 21 mars. PS-ja nuk ka garantuar se do të zgjatët mandati i saj, duke nënvizuar se negociatat për zgjedhjet tashmë do të zhvendosen tek Ligjet.

Duke iu referuar paktit të fundit mes PS-së dhe PD së së Rithemelimit, Alibeaj tha se socialistët e dështuan reformën zgjedhore

“Partia Socialiste e dështoi reformën zgjedhore dhe kjo ka një bilanc të hidhur edhe për publikun. Optika tjetër me të cilën do të duhet parë frytet e hidhura të kësaj marrëveshje okulte janë: çfarë iu mohua publikut?

Së pari, iu mohua ndryshimi i pazarit famëkeq të 2008-ës Rama-Berisha. Partia socialiste arriti të ruajë edhe me ndihmën e të tjerëve, të konservojë edhe një herë sistemin zgjedhor famëkeq që e ndan Shqipërinë në domen kryetar partish si në 2008-ën. Së dyti, sot që flasim, e sakrifikuara e madhe është vota e diasporës. I sakrifikuar është në fakt vendimi i gjykatës Kushtetuese që prej kohësh në fakt kërkonte që vota e diasporës të bëhej efektive. Sot që jemi një vit para ditës së zgjedhjeve, do të duhej të kishte filluar në fakt puna sipas asaj që ne ofruam në komisionin e reformës zgjedhore, ndërtimi i logjistikës dhe i mekanizmit të votës efektive të diasporës. Votë diaspore me Postë, votë diaspore me postën e Edi Ramës e cila është nën tutelën e patronazhistëve të Edi Ramës, është ndoshta mashtrimi më i hidhur që bëhet shqiptarëve jashtë Shqipërisë.

Së dyti, sakrifikimi më i madh është mohimi i kthimit të Shqipërisë në një zonë zgjedhore…Edi Rama që të hyjë në procesin zgjedhor edhe me 6 mandate në tavolinë.

Oferta jonë për ta bërë Shqipërinë një zonë zgjedhore jo vetëm që garantonte barazinë e votës, por i hiqte mundësinë Edi Ramës që të mos kishte në tavolinë primin 6 mandate në tavolinë.

Së treti, mohimi i listave të hapura. Mesa duket ky është thelbi i refuzimit nga ana e mazhorancës, por edhe deputetëve të tjerë të cilët kontribuan për ta dështuar reformën zgjedhore. Të mohosh listat e hapura, do të thotë të kesh frik nga qytetarët…”, tha Alibeaj.