Aktualitet

Komisioni Hetimor për kontratat në shëndetësi, seancë dëgjimore me dëshmitarët!

Komisioni Hetimor për shërbimet publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në shëndetësi zhvilloi sot mbledhjen e radhës ku në rend të ditës është thirrja e dëshmitarëve, auditues të KLSH, për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen.

Dëshmitarja e parë ishte audituesja e KLSH-së, Brunilda Zenelaj.

Zenelaj u shpreh se, ka qenë përgjegjëse e grupit të auditimit në auditimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Fondit të Kujdesit Shëndetësor në vitin 2023, i cili ka audituar si periudhë veprimtarie të këtij institucioni vitin 2022.

“Ky auditim i ndërmarrë nga KLSH është një auditim i përvitshëm, për shkak të raportimit që bëhet për zbatimin e buxhetit të shtetit”, tha Zenelaj.

“Kam pasur si detyrë për të audituar pjesën e alokimit të fondeve, përgatitjen e buxhetit, pjesën e financimit të paketave shëndetësore të 4 PPP-ve, ku objekt i këtij hetimi janë  Sterilizimi dhe Check-Up”, tha ajo.

“Drejtimi i auditimit ka pasur të bëjë më shumë me financimin e këtyre dy kontratave në buxhetin e miratuar të vitit 2022. pra është një auditim i kufizuar në këtë spektër”, theksoi Zenelaj.

Duke folur për auditimin, Zenelaj tha se, “kontrata për kontrollin mjekësor bazë është një kontratë me afat 10-vjeçar, me mbështetje buxhetore mbi numrin e projektuar të kontrolleve mjekësore që ka qenë 475 kontrolle mjekësore bazë në vit. Tarifa që është përcaktuar për një kontroll mjekësor bazë është në vlerën 1844 lekë me TVSH”.

“Ajo që kemi konstatuar nga auditimi në vitin 2023, nga auditimi i bërë për vitin 2022, është sepse vazhdon e njëjta situatë në pjesën e zbatimit të kësaj kontrate, që ka qenë likuidimi i saj, i këtyre kontrolleve mjekësore bazë, jo sipas faktit të kontrolleve të tyre, por sipas projeksionit të përcaktuar në kontratë”, u shpreh Zenelaj.

Sipas rendit të ditës, Komisioni do të vijojë dëgjesat me dëshmitarët Eduard Stafasani, Melina Kabo, Semiram Jakupi, Klarenc Xhaferraj, Bexhet Zeqiri.