Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up në Shëndetësi, vijoi me debate mes opozitës dhe mazhorancës, për disa orë me radhë deri pas mesnate ndërkohë që mandati i tij përfundon sot. Debatet nisën në lidhje me dëshminë e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili për dy ditë me radhë u shoqërua me pranga e policë në Kryesinë e Kuvendit por kjo dëshmi nuk u dha për shkak të debateve. Beqaj është prej mbi 4 muajsh në arrest me burg për abuzime me fondet e BE-së kur drejtonte agjencinë SASPAC.
Kur Ilir Beqaj priste të jepte dëshminë në Kryesinë e Kuvendit, deputetët e Partisë Demokratike insistuan që në komision të thirreshin për të dëshmuar Vilma Nushi, si dhe kryeministri Edi Rama.
Të nënshkruajmë një vendim të ndërmjetëm ku kërkojmë shtyrjen e afatit dhe thirrjen e dëshmitarëve, Edi Rama dhe Vilma Nushi. Vijojmë marrim në pyetje Beqajn e të ezaurohet e gjithë lista e dëshmitarëve, tha kryetarja demokrate, Albana Vokshi.
Nga ana tjetër, socialistët akuzuan demokratët se nuk po lejojnë që ish-ministri Ilir Beqaj të mund të japë dëshminë e tij ndërsa Albana Vokshi dhe të tjerë deputetë të opozitës e zhvendosën debatin te përfituesja e koncesionit të Check Up-it, Vilma Nushi.
Plarent Ndreca, nënkryetari socialist i këtij komisioni kërkoi vazhdimin e rendit të ditës që ishte miratuar, duke theksuar:
Nëse doni që të bëni monologë, vazhdoni me monologët tuaj sepse ne duam që të vijojmë me rendin e ditës.
Sipas Ndrecës, është e rëndësishme që të thirret dëshmitari e të vazhdohet me procesin hetimor, pasi është miratuar një rend dite i qartë.
Ne nuk po arrijmë dot që të respektojmë rendin e ditës. Ne kemi që në orën 10:30 (e mërkurë 13 nëntor) që po kërkojmë të thirret dëshmitari e të dëgjojmë dëshmitarin, u shpreh Plarent Ndreca.
Ndërkaq, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u rrëzua kërkesa e Partisë Demokratike për një shtyrje të afatit të Komisionit Hetimor përtej ditës së sotme.