Shqipëria renditet e para në rritjen e turizmit duke lënë pas vende të tjera si Greqia. Në vendin tonë, përqindja e kësaj rritjeje është 86 ndërsa shteti fqinj e ka 25% në krahasim me vitin 2019. Sigurisht, numri i turistëve në Greqi është shumë herë më i madh.
Të dhënat e raportit të Komisionit Europian tregojnë se vende të vogla si Shqipëria dhe Mali i Zi kanë parë rritjen më të fortë të tregut në 6 muajt e parë të vitit 2024. Komisioni Europian për Udhëtimet thotë se Shqipëria është tërheqëse për turistët e huaj, teksa kohët e fundit po shfaqet një tendencë rritëse e vizitorëve aziatikë.
Sipas raportit, aktiviteti turistik në Europë, kryesisht ka ndjekur një prirje të ngjashme gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2024. Udhëtimet ndërkombëtare kanë ardhur në rritje në të gjithë kontinentin krahasuar me vitin e kaluar. Në krahasim me nivelet para pandemisë, rritjet janë përkatësisht 6% dhe 7%.
Destinacionet e Europës Jugore, përfshirë Shqipërinë kanë nxitur rritjen e turizmit europian e mbeten vazhdimisht të preferuara për kushtet e favorshme klimatike në prag të sezonit të verës, si dhe për kostot e përballueshme.
Në vitin 2024, kostot operacionale për bizneset turistike e rrjedhimisht, kostot e udhëtimit për konsumatorët mbeten një nga temat më të spikatura për industrinë globale. Përveç kësaj, tërheqja e vlerës për paranë në destinacionet jotradicionale, së bashku me kthimin e udhëtarëve nga Azi-Paqësori, si dhe disponueshmëria në rritje e udhëtimeve hekurudhore po formësojnë gjithnjë e më shumë peizazhin turistik të Europës.
Raporti i Komisionit Europian që në krye rendit Shqipërinë, në fakt konfirmon trendin rritës që vendi ynë ka marrë prej disa vitesh në turizëm. Viti i kaluar u mbyll me 10 milion vizitorë ndërsa parashikimet flasin për një rritje domethënëse edhe gjatë vitit 2024.
Kryeministri Rama tha sot se ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar.
Kam folur me kryetarët e bashkive bregdetare. Të gjithë janë të habitur e të skandalizuar nga shumë video, lajme e komente të rreme, të manipuluara, që duan të thonë që këtu s’ka ardhur njeri. Natyrisht që faktet janë në terren dhe nuk është ky preokupimi kryesor që të merremi me ata që janë pjesë e këtij sulmi të organizuar që vjen nga disa anë.
Rama theksoi se rritja absurde e çmimeve të hoteleve dhe restoranteve, strategjikisht është “vetëvrasje”.
Qeveria dhe bashkitë nuk vendosin çmimet kjo, është shumë e qartë. Në Vlorë e në Sarandë ku janë dhe dy pikat e një rritjeje absurde të tyre, është shumë e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve dhe t’iu thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, se mbase në kushtet e kapitalizmit fjalën e padrejtë ata që duan të fitojnë nuk e perceptojnë, por kjo është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë. Duhet të komunikohet dhe të flitet që rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër.