Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar gazetarja dhe moderatorja e njohur Aulona Musta për të na folur rreth fenomenit ‘body shaming’, paragjykimit dhe bullizimit që i bëhet njerëzve me përmasa të ndryshme trupore. Si e sheh Aulona këtë fenomen në Shqipëri? Zbuloni më shumë në këtë link.
Ndërkaq, si ndikojnë tek fëmijët komentet bullizuese nëpër shkolla të cilat ndonjëherë vijnë edhe nga vet mësuesit?
Është problem i madh sidomos kur vjen nga një individ që pritet të të edukoj. Mund të pres komente injorante nga njerëz që nuk kanë informacione por nëse e bëjnë njerëzit e kulturuar është një problem i madh. Nga shkolla fillon edukimi. Ti nuk e zgjedh familjen dhe nivelin arsimor të tyre por ti shkon në shkollë dhe shkolla duhet të të edukojë, të të japë më shumë informacion sesa thjesht sa bëjnë 2+2, të të ndërtoj si një njeri të denjë që nuk e tall tjetrin dhe nuk e ve në pozitë të vështirë. Shumë shpesh e them që ne e kemi në dorë të ndryshojmë veten tonë, megjithatë nuk është e thjeshtë, të duhet koha e duhur. Janë pastaj rrethanat, ti mund të bëhesh nga një fëmijë ku ke vuajtur nga obeziteti të bëhesh modele por e ke ti në dorë dhe padyshim rrethanat. Ky proces mund të zgjasë me vite apo mund të mos vi asnjëherë. Këtë nuk ka askush të drejtë ta gjykojë.
Cili është mesazhi që Aulona i jep vajzës së saj?
Nëse me brezin e vjetër, është e vështirë për të punuar, lufta që duhet të bëjmë është më brezin e ri. Gjëja kryesore që unë i them Amarës, është se tjetrin duhet ta pranojmë pavarësisht ngjyrës, krahinës, seksit. Nuk ka rëndësi çfarë është për aq kohë sa ajo që është nuk të cënon ty. Nga ana tjetër e informoj që jeta nuk është e lehtë, mund të përballesh me gjykime, me bullizëm. E mësoj që të mos ketë turp. Më ka thënë që: ‘Mami, nuk dua të kap flokët gërsheta se kam turp’. E urrej si fjalë dhe nuk dua t’i rrisim me frymën e turpit. Komunikimi i vazhdueshëm është çelësi, t’i qëndrojmë pranë, sepse ka fëmijë introvertë që kanë frikë të flasin me prindërit sepse nuk ja kanë mundësuar këtë lirshmëri, kështu që i mbajnë për vete të gjitha talljet që u bëhen nga moshatarët dhe jo vetëm.