Aktualitet Bota

Kombëtarja shqiptare e futbollit, thirrje për kandidatin e vetëm shqiptar në Itali për PE-në: Rast historik, votoni Marcon!

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka dhënë mbështetjen për kandidatin e vetëm shqiptar për në Parlamentin Europian, Marco Muharrem Salihu, i cili kërkon votat e shqiptarëve në Itali.

“Vota për kandidatin e vetëm shqiptar në listat italiane, është votë flamuri, votë dinjiteti, është votë për zërin që mungon, fytyrën që duhet, për një komunitet të madh si shqiptarët e Italisë, që unë i quaj arbërit e rinj”, i tha një grupi të rinjsh në një takim në Bolonja, Muharrem Salihu, i cili ka edhe emrin Marco në fletët e votimit.

Fushata e tij aktive vijon në gjithë territorin e verilindjes, që përfshin afro 12 milionë banorë, ku ka afro 145 mijë shqiptarë me të drejtë vote. Në fokus të takimeve kanë qenë grupet e interesit, kompani të mëdha italiane, biznese të vogla dhe të mesme në gjithë territorin e gjerë, njerëzit e punës, komunitete etnike e fetare, pakica.

Nga grumbullimi në Austri në prag të Euro 2024, një mbështetje për Marcon vjen nga Kombëtarja e futbollit. Presidenti i FSHF-së, njëherazi edhe një nga zv.presidentët e UEFA-s, ka bërë thirrje për mbështetje.

Lojtarët e Kombëtares kanë bërë thirrje njëzëri: “Bëni tifo për Kombëtaren, votoni Marcon, pastaj shkoni në plazh”, një aluzion për mungesën e interesit që në përgjithësi ka ekzistuar në votimet për PE, në Itali.

Tema e emigrimit është tema kryesore që dominon këtë fushatë elektorale dhe Marco (Muharrem Salihu) është vlerësuar për propozimet e veta, për amendimin e ligjit Bosi Fini, që penalizon pa dallim edhe shqiptarët; lehtësime për punësimin e shqiptarëve që kanë liri lëvizjeje drejt BE-së, shtim të konsullatave, qendrave të kulturës dhe gjuhës në gjithë territorin dhe votim për diasporën në vendet e origjinës. Marco synon rritjen e ndikimit të Italisë nëpërmjet kulturës.

Mbështetje surprizë i kishte ardhur më herët Marcos (Muharrem Salihut), nga Giani De Biasi, ish trajner i kombëtares shqiptare në 2016. Në një video që qarkullon në rrjete sociale shihet De Biasi, që e dërgoi Shqipërinë në një garë europiane kaq të rëndësishme, duke i dorëzuar topin si stafetë që Marco të përfaqësojë shqiptarët në Parlamentin Europian.