Sport

Kombëtarja në Pragë, Laçi dhe Kumbulla: Gati për ndeshjen ndaj Ukrainës!

Para nisjes drejt Pragës ku Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë ndeshjen e parë në Nations League ndaj Ukrainës në stadiumin “Epet Arena”, dy lojtarët kuqezi, Qazim Laçi dhe Marash Kumbulla, folën për fshf.org, duke treguar si kanë shkuar përgatitjet dhe synimet e Shqipërisë në kompeticionin UEFA Nations League.

Qazim Laçi tha se ndeshja e parë ndaj Ukrainës është shumë e veçantë për të, pasi do të luhet në stadiumin e klubit të tij, Sparta Prague. Mesfushori vlerësoi dy kundërshtarët dhe shtoi se mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme.

Mezi po presim që të vazhdojmë një aventurë të re në kompeticionin Nations League. E kemi për detyrë të bëjmë maksimumin pas paraqitjeve në Europian. Për mua është një ndeshje e veçantë me Ukrainën sepse luajmë në Çeki te stadiumi im.

Për ndeshjen me Gjeorgjinë në “Air Albania”, u shpreh:

Janë kundërshtarë të fortë. Edhe Ukraina e Gjeorgjia ishin pjesë të Europianit. Eshtë shumë e rëndësishme që tifozët të vijnë e të na mbështesin si në Gjermani. Do të jetë një moment i bukur për të gjithë lojtarët dhe sidomos për të gjithë tifozët që do të vijnë në stadiumin “Air Albania”, pasi është ndeshja e parë pas Europianit. Kemi shumë nevojë për tifozët për mbështetjen e tyre, si ndaj Gjeorgjisë dhe në ndeshjet e tjera.

Marash Kumbulla u shpreh se ndeshja e parë ndaj Ukrainës është shumë e vështirë, por theksoi se Kombëtarja do të futet në fushë vetëm për fitore. Mbrojtësi kuqezi tregoi se përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe se ekipi është gati për ndeshjen ndaj Ukrainës.

Janë kundërshtarë shumë të vështirë, sidomos Ukraina. Si gjithmonë do të futemi në fushë për të fituar. Me Gjeorgjinë kemi edhe tifozat pasi luajmë në shtëpinë tonë. Besoj se grupi është gati, jemi stërvitur me intensitet të fortë dhe jemi gati për dy ndeshjet. Ukraina ka ekip shumë të fortë, ka lojtarë të mirë por edhe ekipi jonë ka shumë cilësi. Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar dhe e vështirë, shpresojmë që të fitojmë.

Për ndeshjen ndaj Gjeorgjisë dhe objektivin e Shqipërisë në “Nations League”, Kumbulla tha:

Tifozët do të na mbështesin si gjithmonë, ashtu si në Evropian në Gjermani por edhe në shtëpi në Tiranë. Edhe ndeshja ndaj Gjeorgjisë do të jetë e vështirë, por me mbështetjen e tifozëve do të jetë më e thjeshtë. Do të futemi në fushë për të fituar, por të shohim dy ndeshjet e para. Objektivi është gjithmonë për të fituar.