Gjatë një takimi me kryeministrin Albin Kurti, komandanti i ri i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Enrico Barduani deklaroi se dialogu me Serbinë është platforma e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura.
Po ashtu është platforma e vetme për të arritur zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe kjo është kyçe për sigurinë afatgjatë në mbarë Kosovën e për stabilitetin rajonal.
Barduani vuri në dukje se është i përkushtuar në zotimin e tij për të promovuar unitetin e përpjekjeve me të gjithë homologët, “që të sigurohet koordinim dhe të zvogëlohet mundësia e veprimeve që mund të çojnë në tensione”.
Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se gjatë takimit ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të afërt mes qeverisë e institucioneve të sigurisë me KFOR-in.
Biseduan rreth rëndësisë së komunikimit të rregullt dhe bashkërendimit në shërbim të sigurisë dhe paqes në vend, dhe bashkëpunimit dhe aktiviteteve të përbashkëta të KFOR-it dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës.
Vitin e kaluar, tensionet në Kosovë u rritën pasi në maj kryetarët e rinj shqiptarë morën mandatin në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe. Më 29 maj, gjatë protestave para ndërtesës së Komunës në Zveçan, dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u lënduan, pas përleshjes me protestuesit serbë.
Tensionet kulmuan më 24 shtator kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimet e zjarrit që pasuan në Banjskë të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Kosova fajëson shtetin serb për organizim të sulmit, por Beogradi zyrtar mohon se ka gisht në këtë sulm. Autoritetet e drejtësisë kanë ngritur aktakuzë për këtë rast kundër Radoiçiçit dhe dhjetëra personave të tjerë, tre prej të cilëve janë të arrestuar në Kosovë. Radoiçiç qëndron i lirë në Serbi.
Vazhdimisht, KFOR-i ka përsëritur se dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011. Procesi mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe KFOR-i.
Në BE, por edhe në NATO, gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura. Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.