Aktualitet

Kokaina në Portin e Durrësit, identifikohet pritësi i drogës në Angli!

Policia e Durrësit ka identifikuar e shpallur në kërkim porositësin e 7 pakove me kokainë që u kapën dy ditë më parë në Portin e Durrësit. Të fshehura poshtë sediljes së shoferit, ato u gjetën në një furgon që transportonte mallra të ndryshëm e kishte destinacion Anglinë. Në pranga ranë pronari dhe shoferi i mjetit. Për arrestimin e 37-vjeçarit, policia shqiptare po bashkëpunon me homologët britanikë.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i hetimeve të thelluara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, identifikohet dhe shpallet në kërkim pritësi i 7.3 kg kokainë që u sekuestruan në portin e Durrësit, gjatë operacionit.

Gjatë operacionit “Pakot”, i zhvilluar 2 ditë më parë, u vunë në pranga pronari i furgonit dhe drejtuesi i furgonit ku u gjet lënda narkotike.

Në vijim të punës hetimore për dokumentimin e rastit të tentativës për të trafikuar 7.3 kg kokainë, nga porti i Durrësit drejt Anglisë, Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e  Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, kanë thelluar hetimet për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Si rezultat i hetimeve u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit Fatbardh Çuni, 37 vjeç, i cili dyshohet se do të priste lëndën narkotike, në Angli.

Vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Ndërkohë, po bashkëpunohet ngushtësisht me autoritetet ligjzbatuese dhe homologët e Britanisë së Madhe, për të bërë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.