Atmosfera e gëzueshme e fundvitit ku jemi përfshirë të gjithë shoqërohet me një lloj neglizhence apo abuzimi me ushqimet dhe pijet. Drekat dhe darkat si dhe dollitë e njëpasnjëshme i hapin rrugën prishjes së dietës dhe shtimit në peshë.Arlinda Garuci, nutricioniste klinike thotë:
Privilegjojmë perimet dhe karbohidratet në masën e duhur, jo më shumë se 100 gramë, për t’i lënë kështu përparësi më të madhe proteinës, pjatës kryesore që është gjeli i detit. E kuptoj që është edhe atmosferë ëmbëlsirash, por patjetër duhet të jemi të kujdesshëm. Është një periudhë gati dy-javore ku nëse ne nuk jemi të kujdesshëm mund të na krijojnë mbipeshën, por edhe për personat që vuajnë nga sëmundjet është shqetësuese.
Ajo vijon të shpjegojë:
Dollia mund të bëhet patjetër me pijet alkoolike por duke mos e tepruar shumë, pastaj më pas vijnë pijet joalkoolike dhe lëngjet e frutave të shtrydhura për fëmijët. Shumë persona në fakt në këtë periudhë aktivitetin fizik e kanë lënë pak pas dore me idenë për ta nisur pas festave, në janar. Unë rekomandoj që aktiviteti fizik duhet të jetë çdo ditë, çdo muaj, kështu që sipas dëshirës vrap, palestër ose ecje, duhet patjetër të kombinohet me regjimin ushqimor. Ndryshimi është që janari ka një fluks më të madh pacientësh për dietat dobësuese, sepse zakonisht ata që janë mbipeshë preferojnë ta kalojnë edhe dhjetorin pa dietë për ta filluar në janar.