Aktualitet

Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ bën ankimim në KAS dhe kërkon shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në Himarë!

Zgjedhjet e pjesëshme të 4 gushtit në Himarë ku u shpall fitues Vangjel Tavo, kandidati socialist, me një rezultat të thellë ndaj rivalit opozitar Petro Gjikuria, për opozitën duhet të shpallen të pavlefshme.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” nën siglën e të cilit garoi kandidati i opozitës, ka ankimuar në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve pranë KQZ, rezultatin e zgjedhjeve të Himarës me pretendimin se nga mazhoranca dhe vetë kandidati Tavo janë kryer një sërë shkeljesh që kanë cënuar drejtëpërdrejtë rezultatin e zgjedhjeve.

Problematika më kryesore mbi të cilën kërkojnë pavleshmërinë e zgjedhjeve ishte pamundësia për të votuar e qytetarëve që u kishte skaduar karta e identitetit.

Ditën e zgjedhjeve, vetë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi deklaroi se 6000 qytetarëve me të drjetë vote u kishte skaduar karta e identitetit dhe si rrjedhojë në zbatim të Kodit Zgjedhor nuk mund të votonin.

Por për opozitën mosmarrja e masave në kohën e duhur për këta qytetarë me karta të skaduara, cënon të drejtën kushtetuese të tyre për të zgjedhur ndërsa më herët e kanë cilësuar edhe si një taktikë elektorale për të dëmtuar kundërshtarin.

Opozita akuzon mazhorancën edhe për përdorim të administratës në zgjedhje me “zbarkimin” siç e kanë quajtur ata, të ministrave në ditët e fundit të fushatës apo dhe intimidim ndaj votuesëve, bizneseve dhe pronarëve të hotelerisë.

Sipas tyre, kandidati socialist Vangjel Tavo ka përfituar nga mbështetja e disa ministrave dhe zyrtarëve të ndryshëm publik, përfshirë zv/kryeministren Belinda Balluku, Ministren e Turizmit Mirela Kumbaro apo edhe kryetarin e Bashkisë Vlorë Ermal Dredha.

Tavo sipas opozitës u favorizua në garë nga institucionet shtetërore edhe për “Kryefjalën” e fushatë së tij, dhënien e titujve të pronësisë.

Opozita thotë se kryeministri Rama së bashku me Vangjel Tavon kanë bërë fushatë të parakohshme në muajt maj dhe qershor duke u shpërndarë banorëve të Himarës certifikatat e pronësisë.  Opozita ngre edhe shqetësimin e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit, apo patronazhistëve sic I quajnë të cilët përpiqeshin të orientonin votën.