Pesha e fondeve që kanë shkuar për sportin në raport me ato totale buxhetore është minimale. Një raport performance i Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH, i cili auditon menaxhimin e terreneve sportive në vend, tregon se është shumë e ulët pesha e fondeve të sportit në pesë institucione. Për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit vetëm 4% janë fonde për sportin nga totali i vitit buxhetor, për Bashkinë Pogradec vetëm 3 e për disa bashki të tjera, kjo është edhe më e ulët, deri në 0.2%.
KLSH konstaton se “pavarësisht punës dhe përpjekjeve në nivel qendror e lokal, menaxhimi i terreneve sportive në Shqipëri, nuk ka rezultuar mjaftueshëm efektiv në drejtim të ngritjes, funksionimit e monitorimit të tij”.
Mungesa e një strategjie të miratuar për sportin nga Ministria e Arsimit dhe Sportit ka cënuar realizimin e objektivave për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe veprimtarive të tjera rekreative, me qëllim sigurimin e mbrojtjen e të drejtave të shtetasve që të merren me edukim fizik dhe sport në përputhje me Kartën Europiane të Sportit, si dhe me rekomandimet e organizatave ndërkombëtare në këtë fushë.
Mungesa e strukturave të veçanta për menaxhimin e terreneve sportive në nivel qendror dhe lokal dhe funksionimi jo në nivelin e duhur i disa strukturave përgjegjëse për zhvillimin e sportit në tërësi e në veçanti për menaxhimin e terreneve sportive, tregon qartë se këto institucione vuajnë nga një mungesë menaxhimi me eficiencë dhe efektivitet të ambienteve, terreneve e objekteve sportive.
Niveli i ulët i financimeve si nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit e nga vetë NJVQV, si edhe puna e pamjaftueshme për gjetjen e burimeve alternative të financimit është tregues për mungesën e efektivitetit në menaxhimin e terreneve sportive.
Nga auditimi i këtij aktiviteti në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe në 4 bashkitë Librazhd, Përrenjas, Pogradec, Kurbin, rezultoi se masat e marra për zhvillimin e sportit dhe ngritjen e terreneve sportive janë të pamjaftueshme për të siguruar mjedise për zhvillimin e veprimtarive sportive, të sigurta dhe sipas standardeve bashkëkohore, jo vetëm për arsimin parauniversitar, por dhe për komunitetin.