Aktualitet

KLSH: Qindra miliona lekë të pa arkëtuara nga bashkitë!

Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një seri raportesh për kontrolle në bashki të ndryshme në vend dhe emëruesi i përbashkët janë detyrimet e pa mbledhura nga ana e këtyre institucioneve. KLSH-ja i  rekomandoi Bashkisë Berat që të marrë masa e të ndjekë të gjitha procedurat administrative dhe ligjore për arkëtimin e detyrimeve për taksat e tarifat vendore në vlerën 382.5 milion lekë nga taksapaguesit e biznesit, institucione shtetërore, familjarë, fermerë, individë, etj; vlerën prej 3.8 milion lekësh të gjobave të vëna nga IMT-ja për kundravajtje nga personat fizik/juridik, si dhe vlerën 1.5 milion lekë të tarifës së qirasë nga qiramarrësit e aseteve në pronë/përdorim të bashkisë.

Një tjetër bashki që duket se ka të njëjtin problem është edhe në Bashkinë Krujë ku rezulton se gjendja e debitorëve progresiv për subjektet fizik/juridik, në fund të vitit 2022 rezultojnë 2,412 subjekte debitorë në vlerën 613 milion lekë, ndërsa detyrimi i krijuar gjatë vitit 2023 rezulton në vlerën 102 milion lekë dhe në fund të vitit 2023, ishin 2488 subjekte me detyrim në vlerën 715 milion lekë.

Në Bashkinë Durrës, KLSH-ja konstaton se vlera e debitorëve nga taksat dhe tarifat vendore në fund të vitit 2022 prej 165 milion lekësh, nuk është e saktë, pasi kjo vlerë i përket vlerës së debitorëve të krijuar në vitin ushtrimor 2022. Nga të dhënat e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, vlera progresive në datë 31.12.2022 e debitorëve nga taksat dhe tarifat vendore është në vlerën 799 milion lekë, duke sjellë një mosrakordim për vlerën 634 milion lekë.

Në Bashkinë e Korçës, audituesit kanë dalë në përfundimin se detyrimet nga taksat dhe tarifat e bizneseve janë në vlerën 203 milion lekëve kurse detyrime nga taksat dhe tarifat vendore për familjet, në 234 milion.

Një auditim i ngjashëm në Skrapar ka nxjerrë detyrime të papaguara dhe të pa arkëtuara nga ana e Bashkisë.

Konkretisht, nga auditimi i të dhënave në lidhje me detyrimet e tatimpaguesit nga taksat dhe tarifat vendore që kanë ndaj Bashkisë Skrapar, u konstatua se deri më datën 31.12.2022, borxhi tatimor është në vlerën 85.8 milion lekë. “Përgjatë vitit 2022 vlera debitore e krijuar është 9 milion lekë, si dhe vlera debitore e krijuar gjatë vitit 2023 është 10.6 milion lekë”.

Për Bashkinë e Fierit, KLSH-ja ka nënvizuar se nuk janë marrë masa të plota për arkëtimin e detyrimeve të prapambetura nga debitorët, duke bërë që detyrimet e pa arkëtuara për taksat dhe tarifat vendore në mënyrë progresive më 31.12.2022, të kenë vlerën 236.8 milion lekë.

Në të gjithë rastet, KLSH-ja ka kërkuar që të merren masa për arkëtimin e këtyre detyrimeve nga ana e bashkive./Monitor