Aktualitet

KLSH për Top Channel: Onkologjikun duhet ta hetojë SPAK!

Arben Shehu, kreu i kontrollit të lartë të shtetit tregon për Top Channel se nga auditimet që po mbyllen në sistemin shëndetësor publik, situata është aspak e mirë jo vetëm tek Onkologjiku.

“Jemi në kushtet ku ne kemi konstatuar një sërë problematikash përgjatë auditimit sepse dua të theksoj këtu që janë kryer dhe po kryhen, pjesë e të cilave është edhe spitali Onkologjik dhe njëkohësisht dua t’ju them me përgjegjësi të plotë se jemi në një lloj trajtimi të thelluar, procese të cilat janë të papërfunduara, njëkohësisht jemi në trajtim të thelluar juridik në ato raste të cilat janë të përfunduara dhe duhet t’ju bëj me dije se përfundimi i problematikave në spitalin onkologjik pavarësisht rëndësisë që ka është vetëm një pjesë e segmentit të situatës reale”, tha Shehu.

Por Arben Shehu thotë se kjo dosje me gjetjet konkrete duhet hetuar nga SPAK dhe jo nga Prokuroria e Tiranës.

Njëra nga kallëzimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit rezulton se i është dorëzuar SPAK.

Prokuroria e Tiranës, përveç skandalit të Onkologjikut, ku pacientët e sëmurë me më tumor i orientonin në spitalet private me qëllim përfitimin monetar, ka zbuluar se në këtë spital është instaluar dhe një aparaturë Kobalto-Terapie.

Kjo aparaturë shërben për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tomorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vjenës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA.

Por, hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushtetve teknike.

Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekesor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton kjo pajisje.

Në dosjen hetimore është zbardhur dëshmia e mjekut imazherist Adrian Hoti,i cili është detyruar të lërë punën për shkak se asnjë masë nuk u mor,  pavarësisht shqetësimeve se kjo pajisje kishte nivel rrezatimi 20 herë më të larta se norma e lejuar.