“Ruhuni, nga unë, se kur kam rrahur gruan…”, ishte kjo deklarata e Kodian Duros që bëri Vëllain e Madh të marrë vendimin për skualifikimin e tij nga gara. Një deklaratë e tij pas spektaklit të së shtunës, që është cilësuar e papranueshme, cënon integritetin e shoqërisë dhe që bie ndesh me rregullat e programit. Ish-futbollisti i Kombëtares, teksa të gjithë po darkonin në tryezë tha:
Ruhuni nga unë se kur kam rrahur gruan a e di si më dukeni ju. Po i futa dhe një gotë raki tani, se kam kohë pa e provuar. E rraha ngaqë më mbante gocën mirë, mbante gocën time.
I ftuar në “Wake Up” mëngjesin e sotëm, Klodian Duro ka reaguar mbi këtë deklaratë dhe jo vetëm. Duke shprehur se ishte thjesht një ironi, Klodi e pranon se ishte e gabuar:
Ndaj çdo njeriu nuk bëhet shaka me dhunën, por mbi të gjitha me gratë. Unë jo më kot atë natë e dënova rëndë pjesën e dhunës ndaj grave. Normalisht që është një gjë për t’u vënë re në të gjitha momentet që i jepet mundësia gjithkujt. Unë sot që jam më i ftohtë akoma, mendoj që bëra një gabim sepse ironia ime, sado që po përsërisja fjalët e një banoreje brenda shtëpisë… Unë edhe një herë tjetër këtu, i kërkoj ndjesë të gjithëve sepse sado pak, nuk mund të bëhet ironi me dhunën.
Ti the që ke cituar fjalët e një banoreje, cila është ajo?
Unë kam përsëritur fjalët e Rozës, e cila që në prezantimin tim përpara hyrjes sime në shtëpi, në momentin që të gjithë banorët që kanë parë klipin e prezantimit, ajo është ngritur dhe ka thënë: “Po hyn ky që ka rrahur gruan”. Kjo është shumë e rëndë. Unë e pata këtë tension që në prime-in që sapo përfunduam. Shumë nga banorët ma thanë këtë gjë. Kjo ishte pjesa e tensionit tim sepse është një gjë shumë e rëndë që ta dëgjosh nga një nga banorët që ke brenda në shtëpi, ndërkohë që unë e kisha vënë re dhe e kisha injoruar totalisht të gjithë ditët e qëndrimit tim brenda në shtëpi.
Ajo që dua të them unë për të qenë sa më i saktë, është se sigurisht që unë kam patur shumë dhimbje pas divorcit tim me gruan time, por në të gjitha momentet unë e vlerësoj atë maksimalisht sepse është nëna e vajzës sime. Kam një super respekt, pavarësisht se si na shkoi pjesa e divorcit. Por sot në këto momente unë kam një respekt maksimal për të, sepse ka bërë gjithçka për jetën e vajzës sonë. Dhe kjo ka qenë një pjesë e asaj ironie aty, se si mundem unë që të dhunoj nënën e vajzës sime. Kjo gjë është shumë lehtë e vërtetueshme dhe ky ishte një nga motivet e hyrjes sime në “Big Brother VIP”. Nuk kam hyrë për të fituar 100 mijë euroshin e çmimit, por kam hyrë që të gjithë të shikonin se kush është Klodi në të vërtetë. Sepse kam 4-5 vite që vuaj, por nuk jam shprehur në asnjë media për asnjë lloj gjëje për situatën time.
Kjo ishte një shaka që unë pavarësisht tensionit aty brenda, unë nuk duhet ta kisha thënë atë fjalë ironie. Situatat aty percipitojnë shumë shpejt. Në darkën që na u servir, pjesë e menusë ishte dhe rakia, por unë nuk kam konsumuar asnjë gotë raki. Nëse e vini re ato janë dhe gota uji, sepse edhe në jetën time të përditshme rakia nuk është pjesë e menusë sime dhe nuk ka qenë kurrë. Aty ishte batuta që të gjithë mund ta bëjnë për t’i dhënë një përgjigje indirekte personit që ndoshta bën rolin e budallaqes, sikur unë nuk dija gjë se çfarë po ndodhte në atë shtëpi. Por unë dija gjithçka. Kjo është e gjithë e vërteta.