Bota

Kleriku Khamenei komenton sulmet izraelite kundër Iranit!

Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei paralajmëroi kundër ekzagjerimit apo minimizimit të ndikimit të sulmeve hakmarrëse që Izraeli kreu dje ndaj Republikës Islamike. Duke folur sot me familjarët e zyrtarëve ushtarakë iranianë që u vranë gjatë sulmeve, Khamenei i përshkroi si të “llogaritura keq” nga Izraeli. Por ndërsa iu bëri thirrje zyrtarëve qeveritarë që të “kuptojnë aftësitë” që ka Irani, nuk apeloi që Teherani të përgjigjet, çka do të vazhdonte sulmet mes dy rivalëve.

Sigurisht, ata po e ekzagjerojnë, tha kleriku i lartë duke iu referuar Izraelit, shtet që u mburr se në “mënyrë të suksesshme kreu sulme të shënjestruara dhe të sakta” ndaj objektivave ushtarake të Iranit. Eshtë gabim të ekzagjerohen, por po ashtu është gabim të minimizohen. Irani nuk mund thjesht të thotë  se sulmet nuk ishin asgjë, s’ishin të rëndësishme.

Zvicrës që mban presidencën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Irani i kërkoi të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për të dënuar Izraelin pas sulmeve ajrore, që ishin kundërpërgjigje ndaj atyre raketore që Republika Islamike kreu në shtetin hebraik në fillim të muajit.

Zyrtarët iranianë insistuan se mbrojtja ajrore pengoi shumicën e raketave të lëshuara nga Izraeli por konfirmuan edhe se  katër ushtarë të Iranit u vranë. Sulmet nuk goditën objektet bërthamore apo të prodhimit të naftës, ashtu siç pritej. Një ditë më parë, presidenti amerikan, Joe Biden, mbrojti të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, si dhe shprehu shqetësimin se sulmet reciproke mes dy shteteve armike, mund të çojnë në konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Për javë të tëra, zyrtarët iranianë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë pritur që Izraeli të kryejë sulme, për shkak se Irani sulmoi Izraelin më 1 tetor me rreth 180 raketa balistike. Teherani shprehej se goditja ishte hakmarrëse, për shkak të bombardimeve që Izraeli kryen ndaj grupeve që mbështeten nga Irani si Hamasi në Gaza dhe Hezbollahu në Liban.

Hamasi, grup palestinez i shpallur organizatë e shpallur “terroriste” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian nxiti luftën në Gaza me Izraelin, pasi sulmoi shtetin hebraik më 7 tetor 2023. Që kur ka nisur lufta në Gaza, Hezbollahu, grupi tjetër militant dhe partia politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit ka shkëmbyer zjarr në kufi me Izraelin. Në tetor të këtij viti, tensionet u përshkallëzuan mes palëve dhe Izraeli nisi një ofensivë tokësore në jug të Libanit.