Klei Gërmenji është diplomuar në programin Bachelor në degën “Regji teatri dhe aktrim”, në Fakultetin e Artit Skenik, Universiteti i Arteve dhe në të njëjtin Universitet ka finalizuar dhe studimet Master për Teatër. Eksperiencat e tij në art kanë nisur që në moshë të vogël në festivale të ndryshme teatrale për fëmijë, nga ku ka nisur edhe pasioni për artin dhe në veçanti për teatrin dhe artin dramatik.
Nga ai moment ka qenë aktiv duke punuar në shfaqje të ndryshme me regjisorë të ndryshëm në teatrot më të mëdha të Shqipërisë (Teatri Kombëtar, Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatri Metropol). Në eksperiencën e tij, Klei numëron mbi 30 projekte teatrore për grupmosha të ndryshme (fëmijë, adoleshentë, adult). Ka marrë pjesë në disa festivale ku dhe ka arritur të fitojë dy herë si ‘shfaqja më e mirë’.
Në karrierën e tij, përveç teatrit, ka punuar në filma, spote televizive dhe dublime. Klei ka marrë pjesë dhe në disa fushata të ndryshme humanitare si: Fushatë kundra dhunës; Fushata të barazisë gjinore, Fushata të shëndetit mendor, duke u përpjekur të përcjellë vlera humanitare dhe t’i japë vëmendjen maksimale qenies njerëzore duke qenë se kjo e fundit për të është dhe arsyeja më e fortë se përse ka zgjedhur t’i përkushtohet të bërit Art. Motoja e tij është: “Pengesa është rrugëdalja”.