Antonela Berisha ka dëshmuar sot para Gjykatës së Tiranës, ku u zhvillua seanca për rishikimin e masës së sigurisë për të dhe motrën e saj, Mariela Berisha.
Antonela ka deklaruar se i vjen keq për gjithçka që i bënë blogurës Klea Prenga. Ndër të tjera, ajo pretendon se motra e saj është provokuar nga Klea Prenga dhe në gjaknxehtësi e goditi me gotë, duke i shkaktuar prerje të thella në fytyrë.
Ajo thotë se ka ndërhyrë për t’i ndarë dhe për të mbrojtur motrën e saj dhe në asnjë moment, nuk e ka sulmuar blogeren. Ndër të tjera, Antonela shton se është e gatshme të bëjë gjithçka për të normalizuar marrëdhëniet me viktimën.
Antonela: Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur. Nuk ka qenë aspak qëllim yni që të ndodhte një ngjarje dhe aq më tepër një pasojë e tillë. Kemi shkuar në restorant, të dyja me motrën për të darkuar. Në një moment ajo është ngritur rrëmbyeshëm nga tavolina, e provokuar nga sjellja e viktimës. Në gjaknxehtësi e sipër, aty në moment, ka rrëmbyer një gotë dhe e ka qëlluar viktimën. Kam ndërhyrë mes tyre vetëm për t’i ndarë, dhe mbi të gjitha për të mbrojtur motrën time. Ka një vit që nuk ndihet aspak mirë. E provokuar në mënyra të ndryshme. Më vjen shumë keq dhe nuk e shikoj dot motrën time në këtë gjendje. Kërkoj ndjesë, dhe jam e gatshme të bëj gjithçka për të normalizuar marrëdhëniet dhe për ta ndihmuar viktimën të rehabilitohet fizikisht, për sa na takon. Kërkoj ndjesë publike përpara Gjykatës.