Robotët tashmë po përdoren në dhomat e operacionit për ndërhyrje të sakta në zemër, sy dhe tru. Kirurgët në Zvicër kryen me sukses një endoskopi në një derr të gjallë dhe të shëndetshëm të shtrirë në tryezën e operacionit në Hong Kong. Siç theksojnë shkencëtarët, ky mund të jetë hapi i parë dhe i rëndësishëm drejt kryerjes së operacioneve në distancë dhe te njerëzit. Në një studim të botuar në revistën Advanced Intelligent Systems, raporton Zimo, shkencëtarët shpjeguan se si përdorën një robot kirurgjik dhe një endoskop magnetik në Hong Kong, i cili ishte i lidhur nëpërmjet protokollit WebSocket për shkëmbimin e të dhënave në kohë reale, me një kontrollues në Cyrih. Kirurgët zviceranë monitoruan të gjithë procedurën me ndihmën e një video lidhjeje.
Endoskopi magnetik është i pajisur me një sërë magnetesh përgjatë gjatësisë së tij, në mënyrë që të kontrollohet duke ndryshuar fushën magnetike jashtë trupit të pacientit. Pikërisht nga kjo përfituan kirurgët dhe duke përdorur PlayStation 3 Move, ata e kryen procedurën me sukses. Në raste të tjera, ata përdorën gjithashtu një kontrollues PlayStation 5. Deri më tani, ky lloj i mjekësisë në distancë ishte kryesisht i kufizuar nga vonesa në transmetimin e të dhënave.
Falë teknologjive të reja, kjo vonesë u reduktua në më pak se 300 milisekonda, që do të thotë se pajisja reagoi pothuajse menjëherë ndaj komandës së kirurgut. Ekipi i shkencëtarëve thotë se suksesi i eksperimentit tregon se operacioni në distancë mund të kryhet së shpejti te njerëzit, veçanërisht në zonat ku mungojnë disa mjekë të specializuar.
Gjatë procedurës, mjekët me endoskopi morën mostrat e biopsisë nga barku i derrit. Në vitet e fundit, profesionistët e teknologjisë së kujdesit shëndetësor kanë përdorur inteligjencën artificiale për të kufizuar sëmundjet tek pacientët shpejt dhe me saktësi. Studiuesit inxhinierikë nga Universiteti Teknik i Mesëm në Bagdad, Irak dhe Universiteti i Australisë Jugore Adelaide, Australi, realizuan trajnimin e algoritmeve të makinerive për të dalluar sëmundjet nëpërmjet analizës së ngjyrave të gjuhës.
Një shkallë saktësie prej 98% u arrit në parashikimin e sëmundjeve të ndryshme kur algoritmi i inteligjencës artificiale ekzaminoi ngjyrën e gjuhës së njeriut. Sipas një deklarate të shkencëtarëve, modeli diagnostikoi diabet, goditje në tru, anemi, astmë, COVID-19 dhe një sërë problemesh vaskulare dhe gastrointestinale. Një nga autorët e projektit, deklaroi se IA po përsërit një praktikë 2000-vjeçare të përdorur gjerësisht në mjekësinë tradicionale kineze: ekzaminimi i gjuhës për shenja sëmundjesh. “Ngjyra, forma dhe trashësia e gjuhës mund të zbulojnë një sërë gjendjesh shëndetësore,” shtoi ai.