Punonjësit e kompanisë kineze të teknologjisë, ByteDance siguruan akses në të dhënat nga TikTok, për të gjurmuar gazetarët. Siç e pranon kompania, kjo në një përpjekje për të identifikuar burimin e rrjedhjes së informacioneve në media. TikTok ka bërë tentativa të mëdha për të bindur klientët dhe qeveritë e tregjeve kryesore si Shtetet e Bashkuara, se privatësia e të dhënave të përdoruesve mbrohet e nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare.
ByteDance i tha AFP-së se disa punonjës patën akses në të dhënat e dy gazetarëve, si pjesë e një hetimi të brendshëm për rrjedhjen e informacionit të kompanisë në media. Ata shpresonin të identifikonin lidhjet mes stafit dhe një gazetari të Financial Times e një ish-gazetari të BuzzFeed. Kështu thuhet në një email të këshilltarit të përgjithshëm të ByteDance-it, Erik Andersen. Më parë, të dy gazetarët raportuan mbi përmbajtjen e materialeve të kompanisë. Punonjësit e përfshirë u pushuan nga puna, por nuk dihet numri i tyre. Në një deklaratë për AFP, ByteDance deklaroi:
Dënojmë veprimin e gabuar që shkeli rëndë Kodin e Sjelljes së kompanisë.
Punonjësit morën adresat IP të gazetarëve, në një tentativë për të përcaktuar nëse ata ishin në të njëjtin vend me kolegët e ByteDance-it, të dyshuar për zbulimin e informacionit konfidencial. Plani dështoi, ndonëse pjesërisht, sepse adresat IP zbuluan vetëm të dhëna të përafërta të vendndodhjes.
Përsëri, TikTok po vihet në qendër të vëmendjes në Shtetet e Bashkuara, ku Kongresi është gati të miratojë një ndalim mbarëkombëtar për përdorimin e aplikacionit jashtëzakonisht të njohur të videove të shkurtra në pajisjet e institucioneve qeveritare. Kjo për shkak të rreziqeve të perceptuara të sigurisë.
Këtë javë, Dhoma e Përfaqësuesve mund të miratojë një ligj që ndalon përdorimin e TikTok-ut në telefonat e punës së nëpunësve civilë, një veprim që do të pasonte ndalimet në rreth 20 shtete amerikane. TikTok ka kërkuar të bindë autoritetet amerikane se të dhënat e SHBA-ve mbrohen e ruhen në serverët e vendosur atje. Por, pas raportimeve të mediave, gjithashtu pranoi se punonjës në Kinë kishin akses në të dhënat e përdoruesve amerikanë, edhe pse kompania këmbënguli se ishte në rrethana strikte e shumë të kufizuara.