Kina ka dërguar mbi 30 avionë luftarakë dhe një grup luftanijesh drejt Tajvanit. Kështu njofton sot Ministria e Mbrojtjes së këtij ishulli. Presioni ushtarak vjen pas njoftimit se përfaqësuesit e lartë amerikanë dhe kinezë do të takohen në kryeqytetin tajlandez, teksa dy shtetet po synojnë të ulin tensionet.
Ushtria kineze ka dërguar 33 avionë luftarakë, përfshirë ata të llojit SU-30 dhe gjashtë anije të marinës përreth Tajvanit, mes orës 06:00 të së premtes e orës 06:00 të së shtunës. 13 avionë luftarakë e kaluan vijën në Ngushticën e Tajvanit e që është një kufi jozyrtar mes ishullit dhe Kinës.
Tajvani tha se e ka monitoruar situatën dhe se ka dislokuar forcat e tij në përgjigje të lëvizjeve të Kinës. Pekini pretendon se ishulli autonom i Tajvanit është pjesë e territorit kinez dhe vitet e fundit ka rritur aktivitetet përreth ishullit, duke dërguara avionë e anije.
Tajvani raportoi se shtatë balona kineze kanë fluturuar mbi ishull ose përmes hapësirës së tij ajrore, disa ditë pas ishulli zgjodhi Lai Ching-te si president të ri. Partia Demokratike Progresive e Lait ka bërë fushatë për vetëvendosje, drejtësi sociale, si dhe ka kundërshtuar kërcënimet e Kinës.
Para zgjedhjeve, Kina vazhdimisht e ka dënuar Lain si një separatist të rrezikshëm dhe i ka hedhur poshtë thirrjet e tij të vazhdueshme për bisedime. Por, presidenti Lai thotë se është i vendosur për ta ruajtur paqen përgjatë Ngushticës së Tajvanit e po ashtu për ta forcuar mbrojtjen e ishullit.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan, si dhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, janë të dy në Tajlandë për bisedime, por ende është e paqartë nëse të dy do të takohen apo janë takuar tashmë.
Siç dihet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, duke nisur nga ato ekonomike e deri te gjeopolitiket.