Gjatë stërvitjeve të fundit ushtarake me Kamboxhian, ushtria e Kinës tregoi një qen robot me një armë automatike të montuar në shpinë, duke e kthyer “mikun më të mirë të njeriut” në një makinë vrasëse.
“Ai mund të shërbejë si një anëtar i ri në operacionet tona luftarake urbane, duke zëvendësuar anëtarët tanë (njerëzorë) për të kryer zbulimin dhe për të identifikuar (armikun) e për të goditur objektivin”, tha një ushtar, Chen Wei, në një video nga transmetuesi shtetëror CCTV.
Videoja dyminutëshe e bërë gjatë stërvitjes Kinë-Kamboxhia “Golden Dragon 2024” tregon gjithashtu qenin robot që ecën, kërcen, shtrihet dhe lëviz mbrapa nën kontrollin e një operatori në distancë.
Pjesa e fundit e videos tregon gjithashtu një pushkë automatike të montuar nën një dron ajror, duke ilustruar një “larmi të pajisjeve inteligjente pa pilot” të Kinës.
Përdorimi ushtarak i qenve robotë – dhe sigurisht dronëve të vegjël ajrore – nuk është asgjë e re. Një video CCTV nga viti i kaluar tregoi gjithashtu qentë elektronikë të Kinës të armatosur në një stërvitje të përbashkët që përfshin ushtritë kineze, kamboxhiane, lao, malajziane, tajlandeze dhe vietnameze të mbajtur në Kinë nëntorin e kaluar.