Bota

Kina mbështet Libanin në konfliktin e Lindjes së Mesme!

Pekini zyrtar e siguroi Bejrutin dje në mbrëmje për mbështetjen e tij në konfliktin e Lindjes së Mesme dhe kritikoi ashpër Izraelin për nisjen e valës më vdekjeprurëse të sulmeve ajrore në dekada ndaj milicisë libaneze Hezbollah. Duke folur nga Nju Jorku ku po zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi deklaroi:

Kina po e mbështet fuqishëm Libanin në mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë dhe dinjitetit kombëtar të tij.

Wang u takua me homologun libanez, Abdallah Bou Habib në qytetin amerikan.

Pavarësisht se si do të zhvillohet situata, Kina do të vazhdojë të qëndrojë në anën e drejtësisë dhe të “vëllezërve të saj arabë”, duke përfshirë Libanin.

Ministri kinez dënoi sulmet pa dallim të Izraelit kundër civilëve dhe objekteve të komunikimit në Liban, duke shprehur shqetësimin për situatën. Wang përsëriti gjithashtu thirrjen për një armëpushim në Gazë dhe një zgjidhje me dy shtete të konfliktit midis Izraelit e palestinezëve.

Të paktën 492 persona janë vrarë si pasojë e bombardimeve të ashpra izraelite ndaj shënjestrave të Hezbollahut në Liban. Bilancin e përditësoi sot Ministria libaneze e Shëndetësisë. Një ditë më parë, ushtria e Izraelit kreu sulme të mëdha intensive ndaj Hezbollahut, grupit militant pro iranian, të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E djeshmja ishte dita më vdekjeprurëse e konfliktit atje në 20 vitet e fundit.

Mijëra familje kanë ikur nga shtëpitë e tyre, gjithashtu. Ushtria izraelite raportoi se goditi 1.600 objektiva të Hezbollahut, në përpjekje për të shkatërruar infrastrukturën që ky grup i armatosur e pati ndërtuar pas luftës së vitit 2006.

Ndërkohë, Hezbollahu u përgjigj duke hedhur mbi 200 raketa drejt veriut të Izraelit, referuar ushtrisë. U raportua për dy të plagosur. Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje, pasi të dyja palët duket se po shkojnë drejt një lufte të përgjithshme.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, iu drejtua popullit libanez përmes një videoje.

Lufta e Izraelit nuk është kundër jush, por kundër Hezbollahut. Hezbollahu ka kohë të gjatë që është duke ju përdorur si mburojë njerëzore.

Dje në mëngjes, Izraeli iu bëri thirrje banorëve në jug të Libanit të largohen nga shtëpitë e tyre në pjesët ku tha se “Hezbollahu ruan armët”, duke i paralajmëruar për “bombardime të ashpra”.