Bota Sport

Kina hap Lojërat Olimpike Dimërore!

Hapja e Lojërave Olimpike Dimërore bëhet sot në Stadiumin Kombëtar të Pekinit, ndërsa Kina tenton të largojë vëmendjen nga shqetësimet për përhapjen e koronavirusit dhe historinë e akuzave të ndërkombëtarëve sa i përket shkeljes së të drejtave të njeriut.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Kanadaja, Gjermania, Australia e të tjera vende, po bojkotojnë ceremoninë inauguruese, në shenjë proteste për trajtimin që u bën Kina ujgurëve dhe grupeve të tjera myslimane në provincën Ksinjiang. Por, presidenti rus Vladimir Putin do të jetë i pranishëm krahas 19 liderëve që gjithashtu do të priten nga kryetari i shtetit kinez, Xi Jinping. Ndërkaq, Rusia ka dënuar bojkotin diplomatik dhe ato që i quan “tentativa për politizim të sportit”.

Shefi i Kremlinit, i cili synon të rrisë lidhjet me Kinën në kohën e tensioneve me Perëndimin, pas pozicionimit të mbi 100 mijë trupave ushtarake në kufi me Ukrainën, përshëndeti “modelin” e marrëdhënieve me Pekinin, në një bisedë telefonike të zhvilluar në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Madje, homologun kinez Jinping, e quajti “mik të dashur”.

Në mesin e liderëve të tjerë që kanë konfirmuar sot pjesëmarrjen në ceremoninë e hapjes janë presidenti kazak Qasym-Zhomart Toqaev, ai polak Andrzej Duda, i Egjiptit Abdel Fattah al-Sisi dhe lideri de facto i Arabisë Saudite Mohammed bin Salman. Ndërkaq, numri një i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, janë disa prej liderëve të institucioneve globale që po ashtu do të marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit të eventit të rëndësishëm sportiv.

Në hapje do të ketë pak spektatorë, ndonëse ende nuk dihet numri me saktësi. Biletat nuk kanë qenë në shitje në publik e kjo për shkak të pandemisë koronavirus që vazhdon të sjellë masa shtrënguese e kufizime. Tashmë, kryeqyteti i Kinës, Pekin, bëhet qyteti i parë mikpritës si i Lojërave Olimpike Verore, ashtu edhe atyre Dimërore.