Bota Tech

Kina gjobit “Alibaba”-n, kompania pranon gjobën

Rregullatorët kinezë gjobitën “Alibaba Group” me 2.8 miliardë dollarë, me akuzën se gjiganti i shitjes me pakicë në internet shkeli rregullat e monopolit. Lajmin e raportoi media shtetërore.

Administrata Rregullatore e Tregut Shtetëror të Kinës vendosi sanksionin pasi arriti në përfundimin se platforma më e madhe e tregtisë elektronike në botë kishte shfrytëzuar dominimin e saj në treg për të ndëshkuar tregtarët që ofrojnë mallra në platformat konkurruese, ku u tha se “Alibaba Group” pengonte konkurrencën.

“Alibaba” u ndëshkua me gjobë prej 18.2 miliardë juan (2.8 miliardë dollarë) e cila korrespondon me 4% të shitjeve të saj të brendshme në 2019-ën në rreth 456 miliardë juan.

Me dënimin më të lartë të vendosur ndonjëherë nga rojat e konkurrencës kundër një kompanie kineze të internetit vijnë pyetje të reja në lidhje me të ardhmen e “Alibaba”-s dhe themeluesit të saj, Jack Ma. Që kur vjeshtën e kaluar kritikoi publikisht rregullatorin financiar të Kinës, Ma sa vjen e po shfaqet akoma edhe më rrallë në publik ndërsa me lëvizjën e bërë ka zemëruar zyrtarët në vendin aziatik.

Kompania “Alibaba” bëri të ditur se do ta pranonte sanksionin.

Ne do të forcojmë operacionet në përputhje me ligjin, ne do të forcojmë më tej ndërtimin e një sistemi të pajtueshmërisë, bazuar në inovacionin dhe zhvillimin dhe ne do të përmbushim më mirë përgjegjësitë tona sociale.