Bota

Kina e shqetësuar pas njoftimeve se SHBA-ja ndryshoi strategjinë e saj bërthamore!

Kina tha të mërkurën se është shumë e shqetësuar pasi New York Times njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një plan sekret për të spostuar përqëndrimin e strategjisë së tyre bërthamore nga Rusia për t’u ballafaquar me armët e shtuara bërthamore të Pekinit.

Sipas artikullit që New York Times botoi të martën në mbrëmje:

Presidenti amerikan Joe Biden miratoi në mars një udhëzim të ri për përdorimin e armëve bërthamore.

Sipas shkrimit, dokumenti i cili përditësohet çdo katër vjet, e riorienton strategjinë parandaluese bërthamore për t’u ballafaquar me zgjerimin e shkallës së gjerë të arsenalit bërthamor të Kinës. Dokumenti po ashtu urdhëron forcat amerikane që të bëjnë përgatitje për t’u përballur me sfida të bashkërenduara bërthamore nga Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut, sipas shkrimit.

I pyetur për njoftimin gjatë konferencës për shtyp të mërkurën, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze akuzoi Shtetet e Bashkuara se po “sajojnë teori mbi kërcënimin bërthamor të Kinës” dhe po “gjejnë justifikime me synimin për të krijuar përparësi strategjike”.

Kina është shumë e shqetësuar nga ky njoftim i rëndësishëm dhe ka fakte të qëndrueshme se Shtetet e Bashkuara vazhdimisht viteve të fundit kanë nxitur të ashtuquajtura teori për të shtuquajturin kërcënim bërthamor të Kinës.

Rusia nuk bëri komente mbi shkrimin. Politika bërthamore amerikane për dekada të tëra ishte e përqendruar kryesisht tek Rusia, i vetmi shtet që ka kapacitete të ngjashme bërthamore. Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë shpeshtuar paralajmërimet se nën udhëheqjen e Presidentit Xi Jinping, zgjerimi i kapaciteteve bërthamore po zhvillohet më shpejt nga ç’pritej.

Sipas një dokumenti që u bë publik në fund të vitit të kaluar, Pentagoni llogarit që ushtria kineze ka mbi 500 mbushje funksionale bërthamore në arsenalin e saj dhe do të ketë mbi 100 mbushje bërthamore deri në vitin 2030. Kjo sasi është konkurruese me Shtetet e Bashkuara, e cila në inventarin e saj ka 3,700 mbushje funksionale bërthamore, sipas Shoqatës për Kontrollin e Armatimit, me seli në Shtetet e Bashkuara.