Bota

Kina bëhet shteti i parë që emëron ambasador në Afganistan!

Kina është bërë shteti i parë në botë që zyrtarisht ka emëruar ambasadorin e saj të ri në Afganistan, që kur talibanët morën pushtetin.

Në Kabul ambasadori i ri kinez dorëzoi kredencialet më 13 shtator.

Talibanët ende nuk janë njohur zyrtarisht nga asnjë qeveri e huaj dhe Pekini nuk tregoi nëse emërimi i ambasadorit sinjalizon hapa drejt njohjes formale të talibanëve.

 “Ky është një rotacion normal i ambasadorit të Kinës në Afganistan dhe synon të vazhdojë avancimin e dialogut dhe bashkëpunimit midis Kinës dhe Afganistanit”, tha Ministria e Jashtme e Kinës përmes një deklarate.

“Politika e Kinës ndaj Afganistanit është e qartë dhe konsistente”.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme në administratën talibane i tha Reutersit se i dërguari i ri, Zhao Xing, është ambasadori i parë që ndonjë shtet ka dërguar në Afganistan, që kur talibanët morën pushtetin në gusht të vitit 2021, pasi forcat ndërkombëtare – të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara – u tërhoqën nga shteti pas 20 vjetësh.

Ambasadori paraprak i Kinës në Afganistan, Wang Yu, kishte marrë postin më 2019 dhe përfundoi mandatin e tij muajin e kaluar.

Në Kabul ka diplomatë të tjerë që mbajnë postin e ambasadorit, por këtë pozitë ata e kishin marrë para se talibanët të ktheheshin në pushtet.

Shtete dhe institucione të tjera, sikurse Pakistani dhe Bashkimi Evropian kanë dërguar në Afganistan diplomatë të lartë për të udhëhequr misionet diplomatike dhe ata kanë postin e “të ngarkuarit me punë”, që nënkupton se nuk detyrohen të dorëzojnë kredencialet te autoritetet vendëse, siç duhet në rastin e ambasadorëve.