Kim Jong Un, përsëriti thirrjet për zgjerimin e “pakufishëm” të programit bërthamor ushtarak të Koresë së Veriut, sipas tij, “për të luftuar kërcënimet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera”. Kim dënoi vendimin amerikan për të përditësuar strategjinë me Korenë e Jugut mbi mbrojtjen bërthamore, e për forcimin e bashkëpunimit ushtarak me Seulin dhe Tokion. Këtij bashkëpunimi iu referua si “NATO-ja aziatike”, e cila po rrit tensionet e destabilitetin në rajon.
Po ashtu, Kim Jong Un i kritikoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe për faktin se po mbështesin Ukrainën, që po lufton pushtimin nga Rusia të nisur në shkurt të vitit 2022.
Uashingtoni dhe aleatët e tij perëndimorë po e përdorin Ukrainën për të luftuar kundër Moskës e për ta zgjeruar ndikimin ushtarak të SHBA-ve, siç raportoi agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë komuniste, KCNA.
Në muajt e fundit, Kim e ka kthyer në prioritet forcimin e marrëdhënieve me Rusinë. Uashingtoni, Seuli dhe Kievi thonë se më shumë se 10 mijë ushtarë të Koresë së Veriut ndodhen në Rusi për të përkrahur Kremlinin në luftën me Ukrainën dhe se një pjesë e tyre janë përfshirë në luftime në Kursk, rajon rus në kufi me Ukrainën.
Administrata e presidentit Joe Biden hoqi kufizimet që nuk e lejonin Ukrainën të përdorte armatime amerikane për të kryer sulme në thellësi të territorit rus, siç thanë për agjencinë e lajmeve Reuters tre burime që kanë dijeni mbi këtë çështje.
Ky përbën edhe një ndryshim të rëndësishëm në politikën e Shteteve të Bashkuara lidhur me konfliktin Ukrainë-Rusi. PO ashtu, agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se për herë të parë, presidenti Joe Biden ka miratuar përdorimin e armëve amerikane me rreze të gjatë veprimi në Rusi.
Ukraina planifikon të kryejë sulmet e saj të para me rreze të gjatë veprimi në ditët në vazhdim, thanë burimet për Reuters-in, pa dhënë detaje për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e operacioneve. Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte.
Ky vendim i Shteteve të Bashkuara, rreth 2 muaj përpara se presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump të marrë detyrën më 20 janar 2025, vjen pasi për muaj me radhë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy kërkonte që ushtria e vendit të tij të lejohej të përdorte armatimet amerikane për të goditur objektivat ushtarake ruse që gjenden pranë kufirit.