Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, përsëri paralajmëroi se mund t’i përdorë armët bërthamore në konflikte të mundshme me Korenë e Jugut dhe me Shtetet e Bashkuara. Këto dy vende i akuzoi se po provokojnë vendin dhe se po rrisin armiqësitë në Gadishullin Korean.
Disa herë, Kim ka bërë kërcënime të ngjashme mbi përdorimin e armëve bërthamore për parandalimin e sulmeve kundër vendit të tij, por paralajmërimi më i ri vjen në kohën kur ekspertët e jashtëm thonë se Koreja e Veriut mund t’i rrisë armiqësitë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA-të, muajin e ardhshëm.
Gjatë fjalimit në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare Kim Jong Un, ai tha se Koreja e Veriut “do t’i përdorë pa asnjë ngurrim të gjitha armët sulmuese kundër armiqve të saj”, nëse përpiqen t’i përdorin forcat e armatosura kundër Koresë së Veriut, siç raportoi agjencia zyrtare e lajmeve të Veriut, KCNA.
Në këtë rast, nuk përjashtohet as mundësia mbi përdorimin e armëve bërthamore.
Kim theksoi se qëndrimi bërthamor i Koresë së Veriut duhet të përmirësohet plotësisht, sepse Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta forcojnë aleancën ushtarake bazuar në planifikimin e përbashkët bërthamor e strategjik, një veprim për të cilin tha se do të rrisë rrezikun e prishjes së ekuilibrit të pushtetit në Gadishullin Korean.
Duket se iu referua udhëzimeve të reja mes Koresë së Jugut e SHBA-ve mbi parandalimin e sulmeve e që këto dy vende i nënshkruan në korrik, për të integruar armët konvencionale të Koresë së Jugut me ato bërthamore të SHBA-ve, për t’u përballur më mirë me kërcënimet e vazhdueshme që vjinë nga Koreja e Veriut. Koreja e Jugut nuk ka armë bërthamore.
Që kur miratoi një doktrinë agresive bërthamore në vitin 2022, Koreja e Veriut është zotuar t’i përdorë armët bërthamore e para, nëse gjykon se udhëheqja e Penianit është e rrezikuar. Por, shumë ekspertë dyshojnë nëse Koreja e Veriut mund ta bëjë vërtet këtë, pasi forcat e saj ushtarake janë më të dobëta se të SHBA-ve e Koresë së Jugut.
Zyrtarët e SHBA-ve dhe të Koresë së Jugut kanë paralajmëruar se një përpjekje e Koresë së Veriut për të përdorur armë bërthamore do të kishte për pasojë fundin e qeverisë Kim. Në Gadishullin Korean, tensionet janë thelluar javët e fundit, me Korenë e Veriut që ka zbuluar një objekt për prodhimin e uraniumit të gradës ushtarake, një përbërës bërthamor, si dhe ka vazhduar testime raketore.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, tha se zbulimi nga Koreja e Veriut i këtij objekti bërthamor ishte ndoshta një përpjekje për të tërhequr vëmendjen e SHBA-ve para zgjedhjeve presidenciale të muajit të ardhshëm dhe se Veriu ka gjasa të bëjë provokime të mëdha, si për shembull, testimin e një shpërthimi bërthamor e të raketave me rreze të gjatë.
Shumë analistë thonë se Koreja e Veriut ka të ngjarë të përdorë arsenalin e saj të zgjeruar bërthamor për të përfituar lëshime nga SHBA-të, si për shembull lehtësimin e sanksioneve, pasi të inaugurohet administrata e re amerikane.