Bota

Kievi: Rusia ka ekzekutuar 93 të burgosur ukrainas të luftës!

Ukraina ka dokumentuar të dhëna që po lidhen me ekzekutimin e 93 të burgosurve ukrainas të luftës, sipas një zyrtari policor që ka për detyrë të hetojë krimet e luftës lidhur me pushtimin rus të Ukrainës e që vijon prej shkurtit të vitit 2022. Yuriy Belousov, i cili drejton Departamentin për Hetimin e Krimeve të Luftës, të kryera gjatë konfliktit të armatosur në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, këto të dhëna i prezantoi gjatë një paraqitjeje televizive.

Tani ne kemi një informacion për vdekjen e 93 ushtarëve tanë, të cilët ishin ekzekutuar në fushëbetejë, u shpreh Belousov për Yedyniy Novyny, një transmetues ku përfshihen disa kanale televizive ukrainase.

Më tej, Yuriy Belousov shtoi:

Rreth 80% e ekzekutimeve janë regjistruar gjatë këtij viti, por numri i tyre nisi të rritej në nëntor të vitit të kaluar kur kishte ndryshim për keq të sjelljes së ushtarëve rusë ndaj të burgosurve ukrainas të luftës.

Në fillim të muajit, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm njoftoi se kishte hapur hetim për atë që e përshkroi si “ekzekutim masiv” të të burgosurve ukrainas të luftës nga trupat ruse që nga nisja e pushtimit të Ukrainës, mbi dy vjet e gjysmë më parë.

Sipas deklaratës së publikuar nga kjo zyrë, kohët e fundit, forcat ruse kanë vrarë 16 “të burgosur ukrainas të luftës” pranë fshatrave të Mikolajivit e Suki Jarit, në qarkun e Pokrovskut të rajonit të Donjeckut. Në disa kanale në Telegram kanë qarkulluar video që dukej se shfaqnin ushtarë ukrainas, të kapur nga forcat ruse, duke dalë nga një pyll.

Pasi të burgosurit u rreshtuan, forcat ushtarake ruse hapën zjarr ndaj tyre. Ende nuk është arritur që këto video të verifikohen në mënyrë të pavarur. Sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, ekzekutimi i ushtarëve ukrainas pas dorëzimit konsiderohet “krim lufte”.

Në muajin mars 2024, Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë publikoi një raport në të cilin vuri në dukje se të paktën 32 ushtarë ukrainas, të burgosur të luftës, janë vrarë në 12 raste të ndara nga dhjetori i vitit të kaluar e deri në shkurt të këtij viti, pra në tre muaj.