Këshilli i Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare të Ukrainës ndaloi së fundmi ushtarët dhe zyrtarët e tij të përdorin aplikacionin Telegram në pajisjet elektronike për arsye sigurie. “U vendos që të ndalohet instalimi dhe përdorimi i Telegramit në pajisjet zyrtare të përfaqësuesve të qeverisë, personelit ushtarak, punonjësve në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe në kompanitë që punojnë në infrastrukturën kritike,”-njoftoi këshilli.
Kjo u njoftua pas një takimi mbi kërcënimet e sigurisë kombëtare që paraqet aplikacioni. Ndërkaq, arrestimi në Francë i Pavel Durovit, shefit miliarder të platformës së rrjeteve sociale ‘Telegram’, bëri jehonë në mbarë botën, ndërsa Rusia i kërkoi Francës që të mos e kthejë hetimin në ‘persekutim politik’. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgewell, njoftoi se Durov është nën hetime për aktivitete të dyshimta, të paligjshme për të cilat akuzohet Telegrami.
Pavel Durov, shefi i faqes së rrjeteve sociale ‘Telegram’, u lirua nga paraburgimi në Paris pasi pagoi një garanci prej 5.6 milionë dollarësh. Atij i është ndaluar largimi nga Franca. Avokati i Durov, David-Olivier Kaminski, tha se ‘Telegrami’ punon në përputhje me ligjet e Bashkimit Evropian.
Pavel Durov, i cili ka shtetësi ruse, franceze dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe e themeloi ‘Telegramin’ me seli në Dubai në vitin 2013. Pasuria e tij vlerësohet në mbi 15 miliardë dollarë. Hetuesit francezë thonë se ‘Telegrami’ nuk respekton ligjin që kërkon mbikqyrjen e përmbajtjes që publikohet në këtë aplikacion.