Rajoni

KFOR-i hedh poshtë akuzat e ICG-së mbi përfshirje në ikjen e Radojçiçit!

KFOR-i ka hedhur poshtë raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave mbi një përfshirje të mundshme të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë në negociata për arratisjen e kriminelit Milan Radojçiç në ditën e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar.

Në raportin “Kosova e Veriut: Pohimi i sovranitetit mes besnikërisë së ndarë” për dhunën në Banjska thuhet:

Duke pasur frikë nga një gjakderdhje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit (luftëtarët serbë) në pyjet përreth, nga të cilat ata u zhdukën. Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara. Pasi u thirr për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i u koordinua ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë.

Dhuna që ndodhi në Banjskë erdhi pas një sulmi kundër paqeruajtësve të KFOR-it në maj po të vitit të kaluar, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesëtarëve të personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda, shpjegoi KFOR-i në një deklaratë për media.

Për më tepër KFOR-i, theksoi se NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë.

Pas dhunës, NATO ka dislokuar rreth 1 mijë paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rëndat në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen.

KFOR-i vazhdon që të zbatojë mandatin e tij për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë e në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.