Aktori i njohur Kevin Spacey është akuzuar së fundmi për sulme seksuale ndaj tre meshkujve. Sipas njoftimit për shtyp të Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës Britanike(CPS-së), dy nga sulmet e supozuara seksuale ndodhën në Londër në mars 2005, kundër një personi. Mirëpo ai tani ka thënë se është i bindur se mund të provojë pafajësinë. Shërbimi i Prokurorisë, CPS, njoftoi akuzat më 26 maj pas një hetimi nga policia Metropolitane, megjithëse aktori nuk mund të akuzohet zyrtarisht derisa të kthehet në Britani.
Në vijim të njoftimit të CPS, një zyrtar i njohur me procesin tha për “The Guardian” se Mbretëria e Bashkuar do të kërkonte ekstradimin zyrtar të Spacey nëse ai nuk kthehej vullnetarisht, por aktori ka konfirmuar se ka në plan të “paraqitet vullnetarisht” në gjykatat britanike. Në një deklaratë për Good Morning America dhënë përmes një zëdhënësi, 62-vjeçari komentoi:
Unë e vlerësoj shumë deklaratën e Shërbimit të Prokurorisë, në të cilën ata i kujtuan me kujdes mediave dhe publikut se kam të drejtën për një gjykim të drejtë, dhe se jam i pafajshëm derisa të vërtetohet e kundërta. Ndërsa jam i zhgënjyer me vendimin e tyre për të ecur përpara, do të paraqitem vullnetarisht në Britaninë e Madhe sa më shpejt që të jetë e mundur dhe do të mbrohem kundër këtyre akuzave, të cilat jam i bindur se do të provojnë pafajësinë time.
Rosemary Ainslie, kreu i Divizionit Special të Krimit të CPS, tha se vendimi për të zyrtarizuar akuzat kundër Spacey-t doli nga “provat e mbledhura nga Policia Metropolitane”. Spacey ka mohuar të gjitha akuzat, megjithëse këto nuk janë akuzat e para për sjellje të pahijshme seksuale me të cilat ai është përballur.