I ftuar në “Live from Tirana” ishte piktori, kuratori dhe ideatori Heildon Hailiti për të folur rreth edicionit të tretë të festivalit të shumëpritur “Mural Fest Tirana”.
Çfarë mendon për rrugëtimin e “Mural Fest”?
Është një festival i vështirë me infrastrukturë dhe hapësirë të madhe. Nëse do ta bësh mirë, hapi i parë fillon nga aspekti më i thjeshtë, të paktën hap në kohë. Çmenduria artistike e “Mural Fest” filloi në Dimal me një artist shumë pikant në atë kohë, WD. Realizuam murin e parë dhe sikur u hap një oreks i pashueshëm për më shumë. Pas Dimalit, bëmë një shumë të suksesshëm në Patos. Nuk është se festivali ka qenë gjithmonë pa problemet e tij. Duhet të kuptohet se perversiteti artistik lejohet brenda kanavacës, por në publik duhet të jesh më i kujdesshëm. Gjithmonë duhet të jetë një vendas që të shërbejë si një urë lidhëse, të gjejë gjuhën e përbashkët me publikun, sepse diçka interesante është perceptimi që publiku ka për punën e një artisti. Ata kanë turp ta kritikojnë aty, e kanë shumë të vështirë të hyjnë në shpirtin e artistit dhe nuk ngrenë kokë. Kështu që ka pasur raste ku mure janë fshirë, qoftë për shkak të përplasjeve me publikun ose jo.
Çfarë duhet të dimë për këtë edicionin?
Kemi 14 mure. Artistët zakonisht vijnë dyshe, pra, një artist i përzgjedhur dhe një ndihmës ose artist tjetër që ata dëshironin të ftonin. Risia më e madhe e këtij edicioni është se 80% e artistëve janë vajza shumë të talentuara, si asnjë festival tjetër. Ato kanë hyrë shumë fuqishëm dhe me dinjitet. Për shembull, dy vajza nga Argjentina, shumë të talentuara, pikturuan një mur tek sheshi Willson, një mur i rëndësishëm sepse ka qenë në edicionin e parë të “Mural Fest”. Kam sjellë artiste shumë të spikatura, si Marta Lapena, një spanjolle tejet elegante. Ajo bëri diçka shumë interesante rreth inteligjencës artificiale dhe faktit që nuk mund të nuhasë, portretizohet në krijimtarinë e saj. Ka artistë që shprehin stilin e tyre unik, ose ata që sjellin një stil të fuqishëm ballkanik si polaku i famshëm Nespoon. Gjithashtu është dhe argjentinasi i famshëm Maximiliano Bagnasco, ai vetë që ka bërë portretin e Ismail Kadaresë. Ismail Kadare është një figurë e jashtëzakonshme, Shakespeare-i i Shqipërisë, na ka dhënë shumë famë botërore. Po ta shohësh pikturën, nuk ka një trajtë natyrale, artisti ka zgjedhur të shprehë stilin e vet dhe të shpalosë Kadarenë në gjithë dinjitetin e tij.
Si bëhet përzgjedhja e mureve dhe artistëve?
Janë të ndërlidhura. Filloi me artistët dhe me ekranin e vogël të rrjeteve sociale. Zbulova artistë të ndryshëm që mund të rrinë mirë në qytet dhe përpiqem t’u gjej një mur që ju përshtatet, pasi nuk ka të bëjë vetëm stili, por dhe infrastruktura. Në kohët e sotme, nuk përdor më njeri skelë, të gjithë punojnë me vinç dhe atë kërkojnë. Zgjedh mbi 100 mure dhe ulem me dhjetëra njerëz, disa prej tyre nga bashkia e Tiranës, dhe diskutojmë ku është vendi më interesant. Kemi pasur raste që kemi ndryshuar dhjetëra mure sepse nuk u janë përshtatur artistëve, por ia kemi dalë mbanë. 60% e artistëve i zgjedh unë, kurse të tjerët dërgojnë ftesa dhe jam surprizuar vërtet se sa interes ka. Duhet pasur parasysh dhe muri vetë. Disa janë të vjetër dhe kanë probleme me lagështinë, që mund t’i shembë ato.